E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa Blushi: Humbësi s’rikandidon

 

adi shkembi

Grupimi i Ben Blushit paraqet paketën me ndryshimet statusore, të cilat do t’i propozohen për miratim Kongresit të jashtëzakonshëm më 29 gusht. Gazeta zbardh të plota pikat e neneve të statutit të PS-së që propozohet të ndryshohen dhe që prekin veçanërisht kapitullin e kryetarit të partisë dhe forumeve të saj.
Kryetari
Në nenin 28 të statutit, “Kryetari i PSSH” është propozuar që kreu i kësaj partie nuk duhet të rikandidojë nëse mandati i tij ndërpritet për shkak të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme apo nëse humbet në mocionin e mosbesimit të iniciuar nga 1/3 e anëtarëve të partisë. “Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a. jep dorëheqjen; b. partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative; c. humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të, me kërkesën e 1/3  së anëtarëve të partisë. Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP). Nëse mandati ndërpritet sipas germës b. dhe c. kryetari nuk ka të drejtën e rikandidimit”, thuhet në pikën 3 të nenit 28. Në të njëjtën kohë, sipas ndryshimeve të propozuara, kryetari i Partisë Socialiste është i detyruar të jetë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme. “Kryetari i PSSH drejton garën elektorale për zgjedhjet legjislative, duke qenë në krye të listës së kandidaturave të deputetëve të PSSH”, thuhet në pikën 4 të të njëjtit nen, të shtuar nga iniciuesit e kësaj pakete.
Forumet
Përsa i përket forumeve të PS-së, paketa Blushi u jep atyre më shumë kompetenca. Konkretisht në nenin 4 të statutit “Kongresi i PSSH” shtohet një pikë, sipas të cilës, ky forum jep OK e fundit përsa i përket programit elektoral dhe listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme. “Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme legjislative mblidhet Kongresi elektoral i Partisë, i cili miraton programin elektoral dhe ratifikon listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë”, thuhet në këtë nen. Nëse këto ndryshime do të miratohen, asambleja kombëtare do të zgjidhet përmes një mënyre të re. Kështu veç krerëve të partisë, deputetëve, apo figurave të rëndësishme që kanë pasur poste të larta shtetërore, do të shtohen edhe sekretarët rajonalë, si dhe kryetarët e bashkive qendër qarku. Por numri i tyre nuk duhet të jetë më shumë se 1/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të asamblesë. Njëkohësisht rreth 33% e anëtarëve të asamblesë do të dalin nga anëtarët e zgjedhur nga konferenca socialiste dhe pjesa tjetër nga kongresi përmes një liste kombëtare. Asambleja kombëtare, mes dy kongreseve të partisë, nëse këto propozime miratohen, merr një tjetër kompetencë. Kështu kryetari pasi merr pëlqimin e kryesisë i propozon asamblesë për miratim numrin dhe strukturën e Sekretariatit. Kryetari i Partisë i paraqet Asamblesë për miratim kandidatura alternative për Sekretarë të PSSH. Në të njëjtën kohë, Aambleja Kombëtare mund të bëjë propozime me kandidatura shtesë, që duhet të ketë mbështetjen e 10% të anëtarëve të AK. Gjithashtu grupimi i Blushit përmes këtyre propozimeve i heq të drejtën kryesisë t’i rekomandojë asamblesë zëvendësimin e kryetarit ose drejtuesve të partisë për dobësi në punë.

ndryshimet ne statut

Neni 21
Kongresi i PSSH
(shtohet pika 4):
4. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme legjislative mblidhet Kongresi elektoral i Partisë, i cili miraton programin elektoral dhe ratifikon listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë.

Neni 24
Asambleja Kombëtare e PSSH, përbërja
ISHTE:
1.    Kongresi përcakton numrin e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PSSH.
2.    Kryetari i PSSH, anëtarët e partisë që kanë patur mandat të Kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët anëtarë partie si dhe Kryetari i FRESSH, Kryetarja e FGSSH, janë drejtpërdrejt anëtarë të AK të PSSH. Numri i anëtarëve që hyjnë drejtpërdrejt nuk duhet të përbëjë mbi 40 përqind të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PSSH.
3.    Anëtarët që hyjnë drejtpërdrejt në përbërje të Asamblesë Kombëtare nuk përfshihen në listat e votimit për t’u zgjedhur në Kongres.
BËHET:
1. Asambleja Kombëtare përbëhet nga:
a) Kryetari i PSSH, anëtarët e partisë që kanë patur mandat të Kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët anëtarë partie, sekretarët rajonal, kryetarët e bashkive qëndër qarku, si dhe Kryetari i FRESSH, Kryetarja e FGSSH, janë drejtpërdrejt anëtarë të AK të PSSH. Numri i anëtarëve që hyjnë drejtpërdrejt nuk duhet të përbëjë mbi 1/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PSSH.
b) Anëtarët e zgjedhur nga Konferencat Socialiste të qarqeve. Numri i anëtarëve që hyjnë nga kjo listë nuk duhet të përbëjë mbi 1/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PSSH.
c) Anëtarët e zgjedhur nga Kongresi nga një listë kombëtare. Numri i anëtarëve që zgjidhen nga kjo listë nuk duhet të përbëjë mbi 1/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PSSH.
2. Anëtarët që hyjnë në përbërje të Asamblesë Kombëtaëre sipas gërmës a) dhe b) të pikës së mësipërme, nuk përfshihen në listën e votimit për tu zgjedhure në Kongres.

Neni 28
Kryetari i PSSH
ISHTE:
1. Kryetari i PSSH ka këto kompetenca kryesore:
a. është drejtuesi më i lartë politik i partisë;
b. është përgjegjës kryesor për drejtimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë së përditshme të Partisë në zbatim të Programit, të linjës politike të miratuar nga Kongresi dhe forumet drejtuese të Partisë, të Statutit dhe të Rregulloreve të ndryshme;
c. përfaqëson PSSH në marrëdhëniet me partitë e tjera, me organizatat, shoqatat dhe institucionet brënda e jashtë vendit;
d. propozon në Kryesi  masa të veçanta në zbatim të Programit dhe Statutit të Partisë;
e. thërret dhe drejton mbledhjen e Kryesisë;
f. drejton e bashkërendon punën e Sekretariatit Ekzekutiv të Partisë;
g. ka të drejtën e kërkesës për rishqyrtim të vendimeve të Kryesisë së PSSH në Asamblenë Kombëtare, kur e gjykon të nevojshme. Kërkesa miratohet në Asamblenë Kombëtare me shumicë të thjeshtë të votave të pjesëmarrësve në votim;
2. Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:
a. jep dorëheqjen;
b. partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative;
c. humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3  së anëtarëve të partisë. Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP).
BËHET:
1. Kryetari i PSSH ka këto kompetenca kryesore:
a. është drejtuesi më i lartë politik i partisë;
b. është përgjegjës kryesor për drejtimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë së përditshme të Partisë në zbatim të Programit, të linjës politike të miratuar nga Kongresi dhe forumet drejtuese të Partisë, të Statutit dhe të Rregulloreve të ndryshme;
c. përfaqëson PSSH në marrëdhëniet me partitë e tjera, me organizatat, shoqatat dhe institucionet brënda e jashtë vendit;
d. propozon në Kryesi  masa të veçanta në zbatim të Programit dhe Statutit të Partisë;
e. thërret dhe drejton mbledhjen e Kryesisë;
f. drejton e bashkërendon punën e Sekretariatit Ekzekutiv të Partisë;
g. ka të drejtën e kërkesës për rishqyrtim të vendimeve të Kryesisë së PSSH në Asamblenë Kombëtare, kur e gjykon të nevojshme. Kërkesa miratohet në Asamblenë Kombëtare me shumicë të thjeshtë të votave të pjesëmarrësve në votim
2. Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:
a. jep dorëheqjen;
b. partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative;
c. humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3  së anëtarëve të partisë. Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP).
Në gërmës b. dhe c. Kryetari nuk ka të drejtën e rikandidimit.
3. Kryetari i PSSH drejton garën elektorale për zgjedhjet legjislative duke qënë në krye të listës së kandidaturave të deputetëve të PSSH

“Paketa është e vlefshme, por jo e mjaftueshme”

Kandidati i vetëm i shpallur për postin e kryetarit të Partisë Socialiste, Arben Malaj, i vlerëson si të vlefshme por jo të mjaftueshme propozimet e statutit të iniciuara nga grupimi i Ben Blushit. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, ai tha se në PS janë inaktive disa prej forumeve të rëndësishsme, siç janë forumi rinor dhe forumi i gruas. “Unë i quaj të vlefshme, por i quaj të pamjaftueshme propozimet e paketës që paraqitur. Më duket se i gjithë modernizimi i Partisë Socialiste ka mbetur vetëm në raport me kryetarin. Në partinë Socialiste janë inaktive forumet rinore, forumet e gruas, ka tkurrje të debatit, do një rol të ri për grupin parlamentar, do një akses më të madh për mendimin kundër për ta nxitur debatin dhe pastaj për të respektuar vendimet”, u shpreh Malaj. Sipas tij “Mundet të ketë modelin laburist që kryetarin e zgjedh baza dhe ka një nënkryetar që e zgjedh kongresi. Unë mendoj që nuk ka asgjë të keqe që të ketë një paketë, por mendoj që është më kredibël që procesi i analizës se çfarë duhet të përmirësojmë në PS dhe propozimet konkrete për përmirësimet në statut të jetë një proces më i gjatë, në një ambient më të qetë politikë”. Sipas tij, procesi duhet të jetë më i qartë për të bërë të gjitha përmirësimet e nevojshme statusore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›