E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunohet një adoleshente dhe një e sëmurë mendore, 2 në pranga

 

DURRES/ FIER – Një adoleshente dhe një e sëmurë mendore janë përdhunuar nga dy të rinj, të vënë tashmë në pranga. Njëra prej ngjarjeve ka ndodhur në lagjen periferike të Durrësit, ndërsa tjetra në një fshat të Fierit. Adoleshentja nga Fushë-Kruja është përdhunuar, pasi u mashtrua nga një 25-vjeçar për fejesë. Ngjarja ka ndodhur dy netë më parë, kur i riu nga Shkozeti i Durrësit, pasi e merr me makinë për një xhiro, kryen me të marrëdhënie me dhunë. Sipas policisë, pas denoncimit të bërë nga 16-vjeçarja është provuar akuza e përdhunimit, çka ka sjellë arrestimin e Astrit Cemenjës. Nga deklarimet e së dhunuarës, dy të rinjtë njiheshin prej disa ditësh. Cemenja i kishte kërkuar asaj të dilnin bashkë për t’u njohur më shumë, me qëllim lidhjen serioze bashkë. E reja ka pranuar, duke përfunduar fillimisht për një shëtitje nga “Vollga”, ndërsa më pas djali e ka çuar në shtëpinë e një të afërmi të tij. Pas përdhunimit, vajza ka dalë nga banesa, duke u drejtuar për në komisariatin e policisë, ku ka regjistruar dhe kallëzimin penal. Policia ka ndaluar 25-vjeçarin, pasi është kryer dhe ekspertiza që provonte kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë. Një tjetër i ri është ndaluar në Fier, pas akuzës së familjarëve të një gruaje me probleme mendore. Sipas policisë, 23-vjeçari Dorjan Driza, nga fshati Mbrostar në Fier ka kryer marrëdhënie seksuale me shtetasen E.S. Gruaja mezi ka arritur të shpjegojë se çfarë i kishte ndodhur. Kur e kanë kuptuar familjarët e saj i janë drejtuar policisë së Fierit.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, nga ana e policisë së Qarkut të Fierit u bë e mundur gjetja dhe arrestimi i Drizës, i cili në atë çast ndodhej në banesën e tij, pikërisht në fshatin Mbrostar Ura. Tashmë materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për veprën penale të “Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”. Aktualisht i arrestuari Driza ndodhet në paraburgim, në pritje të daljes përpara togave të zeza ku edhe do të gjykohet për këtë vepër penale. Ndërkohë mësohet se paralel me këtë, po merret në pyetje edhe e dëmtuara, e cila pyetet në prani të një psikologu për shkak të gjendjes së saj mendore të paqëndrueshme.            o.u/m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›