Farkë, sekuestrohet varka e tragjedisë
• Varka e tragjedisë së Farkës është nxjerrë dje nga uji prej forcave të Ushtrisë.Dashamir BiçakuAta kanë tërhequr mjetin lundrues në drejtim të pjesës perëndimore të ujëmbledhësit, pikërisht në një vend që përdorej nga restorant “Liqeni” si parking i makinave të klientëve që frekuentonin kompleksin. Tërheqja e varkës me litar nga gjysma e liqenit deri tek parkingu në pjesën perëndimore të lokalit, ka zgjatur rreth më tepër se një orë. Rreth orës 14:00, varka e mbyllur në pjesën më të madhe të saj me tendë plastike, rrëshqiti mbi baltën e bregut të liqenit, ku thuajse çdo ditë transportonte me dhjetëra klientë para se të ndodhte tragjedia. Ekspertët e policisë dhe Prokurorisë kanë bërë një këqyrje paraprake të varkës. Kur mjeti i vogël lundrues doli mbi ujë, efektivët e policisë gjetën brenda saj disa rroba, çanta dhe sende personale të 16 personave të mbytur mesnatën e 6 marsit 2008. “Kishte çanta grash dhe disa xhupa si dhe sende personale që duhet të jenë të personave që u mbytën natën e tragjedisë”,- pohoi për gazetën “Panorama”, një efektiv i policisë, i pranishëm në momentin e nxjerrjes së varkës nga liqeni. Sipas policisë, varka është gjetur në pozicionin që kishte mbetur pas mbytjes mëngjesin e të enjtes rreth orës 01:00, kur zhytësit e RENEA-s nxorën trupat e pajetë të 16 viktimave. Mjeti lundrues në pjesën më të madhe të tij ishte e mbyllur nga një tende plastikë dhe një kafaz metalik ndërsa në pjesët anësore dhe të pasme kishte një tendë të tejdukshme, e krijuar për të mbrojtur nga shiu pasagjerët e varkës, që frekuentonin lokalin në pronësi të Afrim Dibrës. Siç duket ka qenë kafazi i hekurt dhe tenda rrethuese ajo që edhe pas përmbysjes së varkës ka mbajtur të gjithë viktimat brenda saj. Sendet e gjetura, të gjitha sendet e gjetura në varkë janë administruar nga ekspertët si prova materiale. Hetuesit thanë se gjatësia e varkës, shkonte rreth 3 metra e gjysmë, me një gjerësi të jashtme rreth dy metra. Këqyrja e kryer prej hetuesve ka zgjatur rreth 90 minuta dhe rreth orës 15:30, varka është ngarkuar në karrocerinë e një kamioni vinç. Pas imbarkimit të varkës, kamioni u ngjit nga bregu i liqenit për në rrugën kryesore. I shoqëruar nga një furgon i policisë, kamioni është drejtuar për në Lundër ku është vendosur barka e tragjedisë e cila mbahet në Pikën e bllokimit të Automjeteve. Aty pritet që varkës t’i kryhet një ekspertim i hollësishëm për gjendjen e saj teknike, motorike, kapacitetin e peshëmbajtjes dhe aspekte të tjera, për të përcaktuar saktësisht shkakun e mbytjes. Nga hetimet e kryera deri tani, shkak për mbytjen e varkës dyshohen tre versione të mundshme. Mundësia që varka të jetë mbytur për shkak të mbipeshës së saj pasi kapaciteti nuk ishte më tepër se 7 persona. Versioni i dytë është se pasagjerët e varkës kanë qëndruar në njërën anë të saj dhe kjo ka shkaktuar kthimin e mjetit lundrues përmbys pasi ishte anuar nga krahu i majtë. Një tjetër shkak për përmbysjen e varkës, dyshohet se ka qenë një bimë e liqenit e cila ishte ngjeshur me mjetin lundrues dhe që dyshohet se është bërë pengesë për lëvizjen e saj. LicencaVarka e cila është sekuestruar dje nga policia me urdhër të Prokurorisë, do të mbahet e bllokuar deri në fund të procesit hetimor. Sipas burimeve nga organi i akuzës, mjeti i lundrimit që shkaktoi tragjedinë mund të mbahet në sekuestro pasi pronari i saj Afrim Dibra nuk kishte licencë për aktivitetin që ushtronte prej disa vitesh në Farkë, 10 kilometra në periferi të Tiranës. AktivitetiTragjedia e ndodhur mesnatën e 6 marsit me barkën që transportonte klientët e bar-restorant “Liqeni” në periferi të Tiranës, është bërë shkak për mbylljen e aktivitetit. Gjithçka është pezulluar në restorantin që nuk frekuentohet tashmë nga askush. Pranë tij deri ditën e djeshme ka qëndruar një polic i cili ishte urdhëruar të ruante të paprekur vendin e ngjarjes për llogari të hetimit për tragjedinë. Pesë dëshmitarë dhe ekspertiza në vendngjarjeTIRANE – Prokuroria e Tiranës vazhdoi edhe dje hetimet e saj për tragjedinë që shkaktoi vdekjen e 16 personave mesnatën e 6 marsit të këtij viti. Organi i akuzës ka dhënë urdhër për sekuestrimin e varkës së mbytur në cilësinë e provës materiale. Ajo mësohet se do të ekspertohet për ndonjë defekt teknik apo problem tjetër që mund të ketë shkaktuar mbytjen e saj. Ndërkaq, Prokuroria ka planifikuar të rimarrë në pyetje pesë persona, mes të cilëve tre të mbijetuar që janë ndodhur në varkën e mbytur si dhe dy dëshmitarët okularë që panë të parët mbytjen e varkës. Paraprakisht mendohet se shkak për tragjedinë është bërë këmbëngulja e pronarit të lokalit Afrim Dibra që të gjithë personat që festuan ditëlindjen e Alban Hysës të hipnin në një varkë të vetme në mesnatë pasi kishin dalë nga restoranti. Sipas dëshmitarëve dhe hetimeve, viktimat kishin lundruar me dy barka në momentin që kishin mbërritur në restorant, rreth katër orë para se të mbyteshin kur po lundronin në kthim, të gjithë të hipur në një varkë të vetme. Ajo u përmbys si pasojë e mbipeshës në mes të distancës së lundrimit. Pronari i tokës: S‘e dua lokalin pas tragjedisë që ndodhi në FarkëTIRANE - Habil Çollaku, pronari i tokës me të cilin ka qenë në konflikt Afrim Dibra, një nga të mbyturit e tragjedisë së Farkës, ka pohuar dje për gazetën “Panorama”, se në vitin 2001 pronari i lokalit ku darkuan viktimat kishte pushtuar tokën e familjes së tij. Më pas ai kishte bërë një marrëveshje me pronarin e tokës për të ndërtuar një hotel turistik në pjesën lindore të rezervuarit të ndërtuar në vitin 1981. “Në vitin 2003, bëmë një marrëveshje që ai do të ndërtonte një kompleks në një sipërfaqe prej 4200 m2, pranë vendit ku ndodhej lokali. Nga fitimet parashikohej meqë ai ishte investitor të merrte 60 për qind të tyre duke përjashtuar taksat dhe 40 për qind t’i merrja unë”. Sipas Çollakut, në vitin 2004, Dibra nisi të ndërtonte lokalin, në një sipërfaqe që ishte jashtë kontratës që ishte nënshkruar nga palët. “Gjatë kësaj kohe unë pata debatuar shpesh herë me të, pasi Afrimi nuk i qëndroi korrekt marrëveshjes tonë, të cilën e kishim bërë përpara një noteri me një afat prej 20 vitesh”, pohon burri i moshuar. Ai tregon se përveç sipërfaqes prej 4200 metrash në anën verilindore të rezervuarit, në marrëveshje ishte përfshirë edhe një sipërfaqe prej 1500 metrash katrorë, për përdorim parkimi nga mjetet që vinin për të frekuentuar lokalin e ndërtuar nga Afrim Dibra. “Lokali u ndërtua pa leje, as prej meje, as prej komunës, pasi në atë kohë komuna nuk kishte KRRT. Po kështu edhe më vonë, Afrimi ka kryer punime pa më pyetur mua edhe pse prona ku ai punonte ishte e imja”. Çollaku, pohon se pas kësaj tragjedie, nuk i shkon më në mend të kërkojë para nga familja e Afrimit, por vetëm t’i kthehet sipërfaqja e tokës që i është pushtuar. d.b