E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baton: Titulli?Jemi ende në garë



Xhenson Baton nuk e fsheh entuziazmin
edhe pas hapit fals në cirkuitin e Hungarisë. Piloti i McLaren, njëherësh kampion në fuqi i Formula 1, beson ende në fitimin e titullit kampion. Sipas tij rruga është e gjatë, ndaj tifozëria nuk ka pse të jetë inferiore. “Qëndrueshmëria është faktor vendimtar në mbrojtjen e titullit dhe për të qenë realist ne kemi qenë skuderia e vetme në këtë Botëror që ka mbajtur thuajse të njëjtin rritëm përgjatë 12 garave”, deklaron piloti britanik ndërsa shijon pushimet në pritje të çmimit të radhës në Belgjikë më 29 gusht. McLaren nuk ishte në gjendje të neutralizonte superioritetin e dy rivalëve të saj, Ferrari dhe Red Bull në Gjermani dhe Hungari. Por kjo pak e alarmon Baton. “Natyrisht, McLaren duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për të ngushtuar diferencën me kryesuesin, megjithatë kampionati është ende i hapur. Gjëja kryesore është që të jemi të qëndrueshëm dhe të arrijmë të marrim sa më shumë pikë, edhe në rastin kur fati nuk është në krahun tonë”. Piloti i skuderisë britanike është i vetëdijshëm se katër pikët e marra në Budapest nuk janë gjë tjetër, veç humbje. “Katër pikë nuk është se janë të mjaftueshme dhe bindëse, por mos harroni se unë jam vetëm 14 pikë nga lideri i kampionatit. Fakti që diferenca është e ngushtë, bën që çdo pikë të jetë me shumë vlerë”. Baton pritet t’i rikthehet podiumit në Spa dhe Monza. Me gjithë pauzën në Formula 1, piloti është impenjuar në turneun e përvitshëm londinez të triatlonit (1500 metra not, 40 km pedalim dhe 10 km maratonë). Ndërsa një vit më parë u rendit i dyti në kategorinë e tij, këtë edicion ai ka si objektiv vetëm titullin kampion. “Vitin e kaluar kam qenë shumë i lumtur që zura vendin e dytë, por këtë vit do të luftoj vetëm për trofeun. Këtë sport kam vite që e ushtroj dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem, pasi më mban trupin në formë. Me triatlonin argëtohem jashtëzakonisht. është impresionuese dhe emocionuese sikur pilotoj me McLaren”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›