E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, 1 milion euro kush tregon për Mlladiç

Të paktën, në pamje të parë, duket se Serbia po bën të gjitha përpjekjet që të kapë dy kriminelët kryesorë famëkeq të luftës, të akuzuar për gjenocid kundër civilëve nga ana e Tribunalit të Hagës, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç. Arrestimi i tyre është një nga kushtet primare që Serbia duhet të përmbushë që asaj t‘i jepet "drita e gjelbër" nga BE-ja për nënshkrimin e MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit). Në këto kushte, qeveria serbe rifreskoi, këto ditë, shpërblimin për informacionet që do të çonin në kapjen e këtyre dy personave që akuzohen kryesisht për vrasje masive civilësh, sidomos, në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës, në vitin 1995.

Ndërtesat e stacioneve të policisë anekënd Serbisë dhe pikëkalimet-kufitare që e lidhin atë me vendet e tjera janë të mbushura me posterat me fotot e urdhër-arrestet, të lëshuara kundër dy të akuzuarve të Hagës, Ratko Mlladiç (65 vjeç) dhe Goran Haxhiç (50). Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë i bëri të ditur dje agjencisë serbe private të lajmeve, "Beta", se zbatimi i përmbushjes së urdhër-arresteve po ndiqet nga një ekip veprues "ad hok", i ngarkuar të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës. Në urdhër-arrestet e publikuara vihet në dukje se shpërblimi për informacionet që do të çonin në ndalimin e Mlladiçit është 1 milion euro, kurse ai për Haxhiçin, 250000 euro. Në këto urdhër-arreste të publikuara jepet edhe numri i telefonit - 9191 - ku mund të marrin në telefon personat që kanë informacionet përkatëse, si dhe të vihet në dukje se fshehtësia e të dhënave dhe të identitetit të atij që do të japë, eventualisht, informacione për vendndodhjen e të dy kriminelëve të luftës të lartpërmendur, është e garantuar.

Kryetari i Këshillit Kombëtar (serb) për Bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, Rasim Ljaiç, që, në të njejtën kohë, është edhe anëtar i ekipit veprues ‘ad hoc‘ të sipërpërmendur, nga ana e tij, i tha agjencisë shtetërore serbe të lajmeve, TANJUG, se shifrat e shpërblimeve, në fakt, nuk kanë ndryshuar, por se risia, lidhur me këto shpërblime, është se ato do t‘u jepen neto informatorit ose informatorëve eventualë, pra pa TVSH e taksa të tjera, pasi të gjitha këto taksa do t‘i paguajë shteti.

Gazeta e përditshme serbe "Gllasnost javnosti" (Zëri i publikut) bënte të ditur dje se një gazetar i saj kishte marrë, në kushte anonimiteti, në telefonin nr. 9191, duke pyetur se ku mund të jepte një "informacion" për vendndodhjen e Ratko Mlladiçit, dhe se, nga ana tjetër e linjës telefonike, një punonjës mosbesues i BIA-s (Agjencia Informative e Sigurimit) të Serbisë i kishte thënë shkurt, por me mirësjellje, se informacioni për vendndodhjen e Mlladiçit mund të jepej edhe në telefon, duke mbetur anonim. Por kjo do të thoshte se nuk do të mundë të merrej shpërblimi përkatës. Pra, nëse ndokush e di se ku fshihen dy të akuzuarit e Hagës, ai (personi) duhet të vijë personalisht në selinë e BIA-s, ku do të pritej nga punonjësit e shërbimit përkatës të saj. Punonjësi i shërbimit të BIA-s i kishte thënë gazetarit të lartpërmendur se fshehtësia e identitetit është e garantuar dhe se ai do të pritej jashtë radhës! Jovan Stojiç, shef i kabinetit të drejtorit të BIA-s, vuri në dukje, me rastin e rifreskimit të shpërblimeve për kapjen e Mlladiçit dhe të Haxhiçit, se ai priste që numri i telefonatave të rritej. "Muajt e fundit, ka pasur një numër të caktuar telefonatash çdo muaj, pak a shumë i njejtë. Ka pasur thirrje telefonike nga pothuajse të gjitha qytetet e Serbisë se gjoja atje ishte parë Mlladiçi ose Haxhiçi, por, mbas kontrolleve dhe verifikimeve, doli se ato ishin false. Ka nga ata që marrin sa për tu tallur, kryesisht mbështetës dhe simpatizantë të Mlladiçit dhe të Haxhiçit, sepse për disa këta dy të fundit janë heronj, kurse për disa të tjerë - kriminelë", tha Stojiç, duke theksuar se kësaj here shpërblimi është "çliruar" nga taksa dhe ai do të paguhet në dinarë. Pyetjes nëse Radovan Karaxhiçi ishte kapur si rezultat i informacionit të dhënë nga ndonjë "informator", Stojiç u përgjigj në mënyrë mohuese. Ai tha se Karaxhiçin, ashtu si ishte maskuar si doktor David Dabiç, vështirë se do të mundë ta njihte njeri dhe se informacioni për të ishte marrë nga një burim tjetër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›