E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, Gjeliç: Rifillimi i dialogut me Prishtinën është i domosdoshëm

BEOGRAD- Rifillimi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës është kushti i të gjitha kushteve nëse Serbia kërkon të marrë në fillim të dhjetorit statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, theksoi zëvendëskryeministri serb Bozidar Gjeliç në një intervistë të publikuar sot.
"Para së gjithash ne duhet të rifillojmë dialogun me Prishtinën dhe të zbatojmë marrëveshjet e arritura tashmë me Kosovën. Ky është kushti i të gjitha kushteve", deklaroi Gjeliç, në këtë intervistë të publikuar në të përditshmen "Vecernje Novosti".
Pothuaj tri javë përpara samitit evropian që pritet të vendosë, më 9 dhjetor, për dhënien e këtij statusi të kandidatit për Serbinë shqetësimi është ende në rritje në Beograd.
Komisioni Evropian u rekomandoi në tetor shteteve anëtare dhënien e këtij statusi të vendit kandidat për Serbinë, nëse rifillon dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës.
Por, deri tani, ai nuk ka asgjë të re.
Ky dialog është ndërprerë në shtator për shkak të tensioneve që kanë përfshirë që nga vera, veriun e Kosovës. Ai çoi në marrëveshjet e para mes të dy palëve që mbeten ende për t'u vënë në zbatim.
"Rifillimi i dialogut është për ne një qëllim strategjik dhe në interesin tonë më të madh, për të arritur në zgjidhje të pranueshme për të gjithë lidhur me shumë çështje", deklaroi Gjeliç, i cili është ngarkuar me Integrimin Evropian.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›