E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, Presidenti Tadic kërcënohet me vdekje

BEOGRAD- Disa zyrtarë serbë, ndër të cilët presidenti Boris Tadiç, kanë marrë kërcënime me vdekje për shkak të angazhimit të tyre në kapjen e ish-shefit ushtarak të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç, i akuzuar nga drejtësia ndërkombëtare, njoftoi radioja serbe B92.

Letrat që përmbanin këto kërcënime janë postuar në Shtetet e Bashkuara dhe "mendohet të jenë hartuar nga të njëjtët persona që kanë dërguar kërcënime të ngjashme vitet e kaluara", shtoi radioja.

Letrat u drejtoheshin presidentit Tadiç, prokurorit serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç dhe ministrit të ngarkuar me bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë TPI, Rasim Ljajiç, shtoi radioja.

Autoritetet serbe janë angazhuar ta dërgojnë përpara TPI-së Ratko Mlladiçin, i cili qëndron prej vitesh në arrati dhe është akuzuar nga kjo gjykatë për gjenocid gjatë luftës së Bosnjes në vitet 1992-1995. Sipas Bruno Vekariç, zëdhënës i prokurorit serb për krimet e luftës,Vladimir Vukçeviç ka marrë deri tani 66 letra të këtij lloji.
Disa prej kërcënimeve vinin kohët e fundit nga rajoni i Ballkanit dhe sidomos nga Mali i Zi, shtoi Vekariç i cituar nga radioja B92. Policia federale amerikane, FBI, ka filluar vitin e kaluar një hetim në rrethet me origjinë serbe në Shtetet e Bashkuara, të dyshuara si autorë të këtyre kërcënimeve.

TPI-ja kërkon gjithashtu arrestimin e Goran Haxhiç, një ish-lider i serbëve të Kroacisë, i cili gjithashtu qëndron prej vitesh në arrati.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›