E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Topit: Mos e dekreto moratoriumin e skafeve

TIRANE- Beteja e re mes maxhorancës dhe opozitës do të jetë moratoriumi i skafeve, i shtyrë edhe me tre vjet nga qeveria shqiptare të premten e kaluar. Socialistët e konsiderojnë si antikushtetues moratoriumin e skafeve, prandaj i kërkojnë presidentit të Republikës që të mos e dekretojë një ligj të tillë, përndryshe PS-ja do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që ta shpallë antikushtetues një ligj të tillë. Ata pretendojnë se me këtë ligj ndalohet udhëtimi për qëllime turistike dhe sportive, se gjobiten secili që transporton mjete të tilla udhëtimi në rrugë tokësore, por mbi të gjitha tregon se qeveria është e paaftë për të ruajtur kufirin detar të saj. Deputeti Saimir Tahiri u shpreh se moratoriumi shkel të drejtat e njeriut, "në mënyrë të pamotivuar, përpjesëtimisht me gjendjen që ka diktuar rinovimin e moratoriumit për skafet".
"I kërkojmë Presidentit të Republikës të mos dekretojë projektligjin për moratoriumin e skafeve, jo vetëm pse është një projektligj absurd dhe unikal që nuk ekziston askund në botë, por sepse shkel plotësisht të drejtat dhe liritë e njeriut, të njohura nga Kushtetuta. Në të kundërt, Partia Socialiste do kërkojë menjëherë nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të këtij ligji", - u shpreh dje Tahiri. Sipas tij, argumenti i përdorur nga qeveria se me këtë ligj parandalohet vepra penale për "trafikun e paligjshëm" nuk qëndron, pasi qeveria që në 2006-ën e deri më sot duhet të kishte ngritur infrastrukturën e duhur detare për të parandaluar me mjetet e veta trafikun. Zgjatja e një moratoriumi të tillë, për Tahirin, tregon vetëm dështimin e qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikut të paligjshëm. "Me zgjatjen edhe 3 vjet të tjera, qeveria shpall dështimin e saj, duke qenë se moratoriumi i kaluar nuk ka sjellë asnjë përfitim. Gjatë 3 viteve, kur moratoriumi i kaluar ishte në fuqi, qeveria nuk ka zhvilluar asnjë kapacitet infrastrukturor për të parandaluar trafikun e paligjshëm detar, e për shkak të këtij dështimi vazhdon të zgjedhë rrugën më të shkurtër, atë të ndalimit tërësor të trafikut detar, edhe për turizëm, duke cenuar në thelb të drejtat dhe liritë e qytetarëve, të njohura nga Kushtetua", - deklaroi dje zyrtari socialist. Për Tahirin, një moratorium i tillë është një dënim kolektiv i shqiptarëve, pasi qeveria i konsideron ata para ndërkombëtarëve si "potencial kriminal për trafiqe të paligjshme" dhe se ky potencial është aq i madh, saqë qeveria detyrohet të ndalojë tërësisht lundrimin dhe përdorimin e detit.
Të premten e kaluar, në mbledhjen e radhës të qeverisë shqiptare kryeministri u shpreh për shtyrjen edhe me tre vjet të tjera të moratoriumit për skafet, moratorium shumë i debatuar nga opozita që në vitin 2006-ën, por edhe nga një pjesë e maxhorancës së atëhershme.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›