Serbi, një ministër kritikohet, mban foton e Milloshevic në zyrë
BEOGRAD- Partia socialdemokrate serbe (Dhss), një formacion i vogël politik që përfaqësohet vetëm me një deputet në parlament, ka kritikuar ministrin e Infrastrukturës Milutin Mrkonjic duke i kërkuar të heq nga zyra e tij disa foto të Sllobodan Milosheviç, ish-lideri i serbëve i cili akuzohej nga Gjykata e Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ministri Mrkonjiic bën pjesë në partinë socialiste, i njëjti grupim politik ku bënte pjesë edhe Milosheviç. Partia e tij është pjesë e koalicionit qeverisës që drejtohet nga presidenti Boris Tadiç. "Me ato foto ministri shqetëson miliona qytetarë serbë të cilët mendojnë se Milosheviç e dëmtoi aq shumë Serbinë. Mrkonjiic ka të gjitha të drejtat për të admiruar Milosheviçin dhe sistemin e tij me vlerat e dominuara nga demagogjia dhe premtimet false, por një admirim të tillë mund të shfaq në shtëpinë e tij dhe jo në selinë e qeverisë", deklaroi lideri i socialdemokratëve Vladan Batic. Në fakt ministri Mrkonjic nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin për Milosheviç, ndryshe nga disa eksponentë të tjerë të partisë socialiste, siç është edhe ministri i Brendshëm Ivca Dacic i cili ka vënë distanca me ish-liderin jugosllav. Megjithatë ministri nuk e dramatizoi situatën dhe reagoi me qetësi ndaj kritikave. Ai deklaroi se i pëlqente të vendoste foto në mure dhe në zyrën e tij kishte foto të personaliteteve të ndryshme si, ajo e Boris Tadiç, kryeministrit rus Vladimir Putin, kryeministrit italian Silvio Berluskoni etj. (d.b/BalkanWeb)