E Diel, 1 Nëntor 2026

Dardha e Voskopoja, sfida e harresës dhe e braktisjes

Nuk ka qytet e fshat në Shqipëri që të jetë gërryer nga ikjet e njerëzve të vet si Voskopoja e Dardha; por ama pa i shuar e pa i shkulur dot nga rrënjët, pa i lënë në harresë e në vetëshkatërrim, si relike të çbëra përfundimisht të së kaluarës...Lëvizjet e lira të njerëzve pas ‘90-ës i kanë dhënë Shqipërisë një tjetër fytyrë, një tjetër të ardhme, por çuditërisht, Dardhës dhe Voskopojës jo se jo! Sot qindra fshatra e qytete të periferisë mund të cilësohen të vdekura, si “shprehje e shenja” të gjeografisë së dikurshme. Edhe fshatrat e Bregut, të Kolonjës e të Përmetit, le më pastaj të Bjeshkëve, të Kukësit e të Mirditës janë të braktisura....Por, në këto dy fshatra edhe sot e kësaj dite investohet e ndërtohet, gjë që tregon se njerëzit, edhe e pa pasur origjinën nga ato anë, kanë besim te e ardhmja e tyre.E pra, si shpjegohet kjo dukuri e “besimit te e pabesueshmja”, te e nesërmja, (besim që në pamje të parë duket absurd), ka mbetur kaq gjallë ndër shekuj, pavarësisht nga ndryshimi i sistemeve dhe për më tepër nga tjetërsimi fetar, apo edhe ai politik? Si shpjegohet që njeriu i këtushëm shqiptar, ndonëse ka pasur lidhje të flashkëta me besimin fetar, apo edhe me atë politik, (ama kurrë me natyrën, me pronën, me komunitetin, me origjinën, nj’ashtu si kanë ndryshuar marrëdhëniet me partitë, me liderërat, me Ligjin e me pushtetet), në këto anë shqiptari ka mundur të ruajë të paprekur identitetin e vet jo vetëm etnokulturor? Si shpjegohet që në këto vise, që janë aq pranë Greqisë e “megaliidhesë”, nuk kanë mundur të greqizohen, po kanë qenë e kanë mbetur në shekujt e fundit bastionet më qenësore e më të palëkundshme të shqiptarizmës e të gjuhës shqipe?***Në të gjitha kohërat dardharët e voskopojarët kanë ikur, ikur e ikur në mos tepër larg në Amerikë e në Australi, të paktën në Korçë e në Tiranë, veçanërisht atëherë kur kufijtë ishin të mbyllur...Andaj vitet e fundit, përveç disa të moshuarve, zor se mund të gjeje të rinj autoktonë....Por, Dardha e Voskopoja megjithatë sot e kësaj dite nuk mund të quhen të shkretuara e të braktisura. Që në kontaktin e parë me këto dy fshatra me çati të hirta nuk i shmangesh dot pyetjes: çfarë magjie ka ky vend, kjo tokë, që gjysmën e vitit e kalon në dimër të ashpër, në vështirësi, shpesh edhe e izoluar nga dëbora, që, edhe pse ka pësuar ndër mote erozion të pashembullt (të bijve e bijave të tyre) përsëri nuk humbet, nuk shuhet përfundimisht, nuk harrohet, nuk djerrëzohet, nuk rrënohet, si shumë fshatra e qyteza të tjera anekënd Shqipërisë? E pra, çfarë magneti e çfarë geni të hatashëm kanë këto dy fshatra që ndjellin e thërresin jo vetëm bijtë e vet të hapërdarë si zogjtë e korbit nëpër botë, po edhe “të huajt” që vijnë e investojnë dhe mbjellin aty jo vetëm dashuri, por edhe besim?***Një përgjigje e thjeshtë është ajo shtysë dashurie që e ka bërë piktorin Zamir Mati të shkojë në Dardhë e për muaj të tërë të ngulet në këtë vend që të krijojë një cikël të vyer pikturash. është po ajo shtysë që e ka ndjellë Zairën, nënën e tij, vajzë vlonjate, të shkojë në këtë fshat të largët që në kohën e Zogut e të marrë si kujtim një foto me kostum dardhar...Mbaj mend se në Dardhë, edhe në diktaturë, kur “nuk pipëtinte dot as miza” e luftoheshin shfaqjet e huaja, të rinjtë vinin nga të gjitha fshatrat rrotull, nga Qyteza, Sinica, Arrëza, Nikolica... meqë vetëm aty organizoheshin përnatë mbrëmje vallëzimi, se aty kërcehej vals, folkstrot, madje edhe polka...Ky fshat ka edhe vallen, edhe kostumin e vet karakteristik, me të cilin femrat shqiptare, njëlloj si me këngët korçare, janë përfaqësuar kudo nëpër botë...Sepse Dardha, si nënat e legjendave, të jep më shumë dashuri se ç’të kërkon; më tepër të përkushtohet se të bën të ndihesh borxhli, i detyruar, i mangët, i tepërt...Se në këto dy fshatra nuk bëhet dallim në mikpritje mes bijve dhe të ardhurve, mes të njohurve e të panjohurve, mes miqve dhe armiqve “partiakë”... Se portat e shtëpive të tyre, njëlloj si Guri i Vjeshtës i Dardhës, rrinë përherë hapur...Se Dardha e Voskopoja nuk të dehin vetëm me peizazhin, me vjeshtën e artë e të kuqërremtë, me dëborën e luleve të kumbullave që mbulojnë krejt në pranverë, me fushat e skive e me rakinë e kumbullës, po mbi të gjitha me sfidën që i bëjnë kohës, harresës, rrënimit, kotësisë, keqkuptimeve, hatërmbetjeve, mungesës së shpresës, braktisjes njerëzore. Natyrisht edhe me virgjërinë e natyrës e pyjet e pashkretuara nga babëzia që ka sjellë gjithandej anarkia dhe rrokopuja e këtyre viteve në tranzicion!...Mjafton të shkosh në Dardhë e në Voskopojë, që të bindesh se në Shqipëri paska shembuj që tregojnë se, edhe pse ato janë braktisur (si shumë fshatra në veri e në jug, që për shkak të ikjes tashmë pothuajse janë të vdekur...), vendi megjithatë mund të lulëzojë...Kjo është habia që e ka emrin Dardhë e Voskopojë! Sepse këto dy fshatra nuk të lejojnë t’i harrosh, qoftë edhe duke i vizituar një herë të vetme...Sepse dardharët, edhe pse kanë ikur, nuk kanë ngurruar e harruar të mbledhin të holla në emigracion për t’i dërguar në Dardhë që të bëhen e ribëhen kalldrëmet, sofatet, çezmat, shtëpitë, kanalizimet, shkollat, kishat, rrugicat, avllitë, çatitë e hirta me plloça të shtëpive, të cilat edhe kur rrënohen, çuditërisht ngjajnë të hirshme, hijerënda e madhështore...Sepse nuk ka një të ikur që të mos e ketë lënë zemrën peng në Dardhë a në Voskopojë. Por mbi të gjitha sepse aty nuk ka vdekur e nuk vdes kurrë besimi dhe shpresa te e nesërmja “më e mirë”!Ndoshta për këto arsye tani edhe ata që nuk janë voskopojarë e dardharë po vijnë e po “birësohen” e po bëhen “dardharë”, duke ndërtuar vila e shtëpi të reja, sigurisht nga dashuria e mbi të gjitha nga besimi se nesër pasuria e tyre nuk do të shkretohet, nuk do të vidhet; se investimet private dhe ato shtetërore nuk do të bëhen një ditë të bukur rrush e kumbulla, si bëhen anekënd Shqipërisë buxhetet dhe tenderat për hidrovoret, për ujin e pijshëm, për ujërat e zeza, për kanalizimet, për asfalt, për rrugët e kalldrëmet, për gjithçka që ka lidhje me interesin publik...Sepse në këto fshatra banorëve u dhemb jo vetëm prona private, po edhe prona private e tjetrit, ndaj nuk e prekin...! Por më kryesorja atyre u dhembs po aq edhe prona publike, pasi ata janë aq të mençur sa ta kuptojnë se po të priten pyjet “që janë të askujt”, nesër patjetër do të ketë erozion, d.m.th shkreti; se po të prishen kanalet e kullimit e hidrovoret do të përmbyten e nuk do të vadisin dot arat; se po të vjedhin tullat e tjegullat e shkollës, të komunës, të muzeut, të kishës, të xhamisë, apo të ambulancës, fëmijët do të mbeten injorantë e të rrezikuar nga sëmundjet; se po morën telat e elektrikut nuk do të kenë drita; se po vodhën telat e telefonit nuk do të lidhen me botën; se po shkulën sinjalistikën e rrugëve dhe gurët e kalldrëmeve do t’i mbysë balta e nuk do të shkelë kush në fshatin e tyre; se po të “privatizojë” një i fortë burimin e fshatit nesër nuk do të pinë ujë aty as fëmijët e tij; se po të të dalin në rrugë maskat e po ta bëjnë jetën të vështirë e konfliktuale me njëri-tjetrin nuk do të pranojnë të vijë në fshatin e tyre jo nuse e dhëndurë, mysafirë e turistë, po asnjë mësues, infermier, prift, hoxhë, polic, apo mjek nga qyteti....Ja përse Dardha e Voskopoja janë një pasqyrë e çmuar që na tregon se si jemi e si duhet t’i qasemi komunitetit, si duhet të shohim njërit-tjetrin në demokraci e liri, e, mbi të gjitha, si lipset të sillemi me vendlindjen, me të kaluarën, me natyrën, me pronën publike, me investimet, me kujtimet, me ligjin, me trashëgiminë, me bashkëjetesën, pra, me veten tonë! Në fund të fundit këto dy fshatra na japin në heshtje shembullin e mrekullueshëm: Shqipëria dhe shqiptarët i kanë të tana mundësitë të kuptojnë, (më në fund!) që fshati mund e duhet të bëhet si qyteti, por ama jo qyteti domosdoshmërisht të bëhet si fshati!..Por tek ne, mjerisht, tashmë ka ndodhur e po ndodh e kundërta: jo vetëm qytetet, po edhe kryeqyteti është rrethuar nga fshati e nga katundi, natyrisht sipas porosive dhe sipas mësimeve të kryetarit tonë të pavdekshëm e të pazëvendësueshëm, i cili, në mos do të quhet Mao, apo Enver, patjetër do të quhet Sali!(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›