E Diel, 1 Nëntor 2026

Braktisen shtëpi, disa ha tokë e pemë rrëmbehen nga uji

02/02/2010  Gërryerjet nga lumi Shkumbin
ELBASAN-Gërryerjet e lumit Shkumbin kanë shkaktuar dëme përgjatë shtratit në afërsi të fshatit Shushicë dhe lagjes periferike “Çamëria” të qytetit të Elbasanit. Gjatë ditëve të fundit tre shtëpi janë braktisur nga familjarët, disa hektarë tokë dhe 170 pisha janë marrë nga ujërat e lumit Shkumbin për shkak të prurjeve të shumta të këtyre ditëve dhe gërryerjes së vazhdueshme nga mungesa e një argjinature mbrojtëse. Reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar gërryerje përgjatë shtratit të lumit Shkumbin në Elbasan. Më problematike shfaqet situata në fshatin Shushicë ku gërryerjet kanë marrë mjaft tokë bujqësore dhe në vendin e quajtur Pishat në anë të lagjes “Çamëria” poshtë urës së Shkumbinit. Në këtë zonë rrezikohen edhe tre shtëpi, të cilat janë lënë në mëshirë të fatit. Objekte të ndërtuara pa leje në territorin e mbjellë me pisha për të mbrojtur erozionin janë nën kërcënimin e ujit. Familjet kanë braktisur shtëpitë e ndërtuara rishtazi për shkak se çdo ditë e më shumë uji po i afrohet objekteve deri në themele. Banorët thonë se në këtë territor duhet të ishin ndërtuar prita mbrojtëse dhe argjinatura, por kjo gjë nuk u bë dhe këtë vit lumi është më i kërcënuar se asnjëherë, pasi ai po i afrohet dhe do të rrëmbejë shtëpitë nëse nuk ndërhyhet. Ata kanë kërkuar ndihmën e shtetit të shpëtojë investimin e shumë viteve punë. Ndërkohë në Shushicë gërryerjet vazhdojnë prej kohësh dhe me dhjetëra dynym tokë tashmë janë gërryer nga uji. Me gjithë ndërhyrjen e mjeteve të firmave që shfrytëzojnë inertet për të devijuar ujin, rrjedha e lumit ka vazhduar të gërryejë tokën dhe të dëmtojë pasurinë e banorëve të Shushicës. Ata janë detyruar të largohen nga banesat që janë prekur nga uji dhe të sistemohen tek të afërmit e tyre në vend tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›