E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi, zbulohet një strehim i fshehtë i kriminelëve të luftës

BEOGRAD - Autoritetet serbe kanë zbuluar një apartament që mendohet se përdorej nga njëri prej dy të arratisurve të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte, Ratko Mlladiç ose Goran Haxhiç, njoftoi sot një e përditshme serbe që citon një burim anonim.
E përditshmja "Blic" nuk dha më tepër hollësi lidhur me zbulimin e këtij apartamenti, që mendohet të ketë ndodhur dy javë më parë, sepse burimi i saj theksoi se kjo mund të dëmtojë hetimin që po zhvillohet.
"Blic", zakonisht e mirinformuar për hetimet lidhur me krimet e luftës, njoftoi gjithashtu se kasetat me bisedat e regjistruara nga Mlladiçi të zbuluara gjatë një kontrolli të shtëpisë së tij në Beograd tregonin se ish-presidenti serb Sllobodan Milloshviç i kishte kërkuar Mlladiçit të bashkëpunonte me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (TPI).
Sipas burimit të së përditshmes, njëra nga bisedat telefonike të regjistruara nga Mlladiçi ka qenë me presidentin e atëhershëm të Malit të Zi, Momir Bulatoviç, i cili i transmetonte kërkesën e Millosheviçit për të dërguar në TPI zëvendësin e tij, Zdravko Tolimir.
Bulatoviç, i kontaktuar nga e përditshmja, konfirmoi se ka biseduar disa herë me Mlladiçin në vitin 1996, por shtoi se nuk mund t'i mbante mend këto biseda të veçanta lidhur me Tolimirin.
Sipas mediave lokale, regjistrimet e Mlladiçit, CD dhe kaseta, përmbajnë biseda të Mlladiçit me Karaxhiçin, por edhe me presidentin jugosllav të asaj kohe, Sllobodan Millosheviç, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave Momçillo Perisiç dhe me shefin e zbulimit serb Jovica Stanisiç, në kohën kur ata ishin në detyrë.
Ata të gjithë janë gjykuar ose janë nën gjykim, për rolin e luajtur në konfliktet që shkatërruan ish-Jugosllavinë në vitet 1990 dhe sollën shpërbërjen e saj.
Regjistrimet e Mlladiçit u sollën si prova në procesin kundër Karaxhiçit që vazhdon në TPI, por nuk janë bërë publike nga gjykata.

(d.b/AFP/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›