E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia dorëzon rezolutën për Kosovën në OKB

Serbia ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezolutën, përmes së cilës synon të vijë deri tek negociatat e reja për statusin. Në tekst, nuk përmendet drejtpërdrejt kërkesa për negociata të reja, por thuhet se “vendimi i njëanshëm është i papranueshëm”. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka udhëtuar në New York për të biseduar me sekretarin e Pergjithshem te Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon. Duke marrë parasysh që GJND ka konfirmuar të drejtën e shqiptarëve për ndarje nga Serbia, në Rezolutë thuhet se “përmes dialogut të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha çështjet e hapura”.

Jeremiç, gjithashtu, do të zhvillojë konsultime në përpjekje për t’u përgatitur për seancën e Këshillit të Sigurimit rreth Kosovës, e cila është parashikuar javën e ardhshme. Nderkaq, ne anen tjeter Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës pas mendimit të GJND-së u ka dërguar 121 letra – kërkesa të ripërsëritura për njohje të pavarësisë ministrive të Punëve të Jashtme të shteteve që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës. Krahas kërkesës për njohje, ministri i Punëve të Jashtme Skender Hyseni, po qëndron në Nju Jork ku ka zhvilluar një numër të madh takimesh me përfaqësues të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Në të gjitha këto takime, sipas ministrisë së Punëve të Jashtme, Hyseni u ka shpjeguar bashkëbiseduesve të tij përmbajtjen, kuptimin dhe rëndësinë e mendimit këshillëdhënës të GJND-së. Në këtë rrafsh, Ministri ka ofruar një shpjegim të detajuar të Mendimit, vendimi për të cilin ishte marrë nga shumica dërmuese e gjykatësve, dhe i cili ishte eksplicit, i qartë, nuk linte hapësirë për asnjë dyshim ose shumëkuptimësi, dhe në të gjitha pikat ishte në favor të Kosovës. Sipas Hysenit gjykata ka rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura kundër ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, duke gjetur se shpallja e aktit të pavarësisë, dhe për rrjedhojë krijimi i shtetit të Kosovës, nuk kishte shkelur asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›