Serbia e ndjeshme për shkak të GJND-së
Shefi i diplomacisë sllovene, Samuel Zbogar thotë se Serbia kohëve të fundit është "tepër e ndjeshme" për shkak të pritjes së verdiktit për Kosovën të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Zbogar citohet nga mediat sllovene të ketë thënë në Bruksel se me gjasë kjo është arsyeja që presidenti serb Boris Tadiç nuk shkoi në konferencën në Bërdo afër Kranjit.
"Asnjë zgjidhje e propozuar nuk ishte e pranueshme për Serbinë, për shkak të frikës së palës serbe se kjo do të prejudikonte statusin e Kosovës", ka sqaruar Zbogar.
Në këtë mënyrë Zbogar është përgjigjur në pyetjen nëse janë të sakta pohimet jozyrtare se Spanja ka bërë trysni mbi presidentin serb Tadiç që të mos marrë pjesë në konferencën e Bërdos.
I pyetur nëse Spanja e cila nuk e ka njohur Kosovën, do t'ia dalë që në Konferencën e Sarajevës të marrin pjesë edhe Serbia edhe Kosova, ai tha: "Gjithsesi nga BE do të presim që edhe Serbia edhe Kosova të marrin pjesë", ka thënë shefi i diplomacisë sllovene.