Serbia e rikthyer përballë Kosovës së hutuar
Në Kosovë u mbajt një debat mbi "Branding Kosova", imazhin e Kosovës në botë. Branding dhe imazhi kanë të bëjnë me perceptimin e palës tjetër kundrejt një "produkti", në rastin tonë, për Kosovën. Brendet testohen përmes asaj çfarë mbajnë mend njerëzit për "produktin" në test, pas një kohe. Të provojmë kujtesën...
Çfarë ju kujton emri i zonjës Sherife Smajli, i zonjës Ajshe Lushi, emri i familjes Bala në Pejë apo çfarë dini për ish-bashkëqytetarët tuaj Nebojsha Miniç, Radojko Repanoviç apo Nenad Jovanoviç?
Kosova po paraqitet si një punishte, ku çdo gjë mbetet përgjysmë. Vendin në fakt e shpëtoi një ide-bombe "mendësie" dhe kulture politike e gjuajtur në kohë e hapësirë nga Ronald Regan, i cili katapultoi e promovoi atëbotë "Rendin i ri botëror". Kosovën nga gjenocidi serb e shpëtoi etablimi i këtij Zeitgeist-i (mendësie) kontemporan globalizmi, që promovonte sovranitetin e kufizuar të shteteve në botën bashkëkohore, e ku "të gjithë, kanë përgjegjësinë dhe të drejtën, të kujdesen për të gjithë..." Ky mentalitet i etabluar në botë, ishte bazë e vendimit për bombardimet e NATO-s në funksion të shpëtimit të kosovarëve nga gjenocidi serb... dhe të pezullimit të sovranitetit serb në Kosovë përmes rezolutës 1244. Kjo mendësi ishte dhe mbetet edhe bazë e pavarësimit, por dhe argumenti qenësor në mbrojtjen e "pavarësimit si proces" në Gjykatën e Hagës nesër.
***
"Kushdo që lexon dokumentet e bisedimeve të Vjenës…, krijon përshtypjen absurde se jo shqiptarët, por serbët ishin për njëqind vite nën terrorin e gjenocidin shqiptar. Së këndejmi, na vijnë vendimet edhe sot nga Ban Ki Mun, se janë shqiptarët që duhet të zhvishen nga pushteti atje ku jetojnë serbët në Kosovë, atje ku janë varret e kishat serbe... pra, janë shqiptarët që duhet të japin garanci nga më absurdet, nga më galantet, nga më asimetriket në botë, në mënyrë që serbët të pranojnë të bashkëjetojnë në të njëjtin nënqiell e në një shtet "mushkë", me shqiptarët – "shtypës tradicionalë".
Pse ngjan kështu?
Mbi mendimin e ndërtuar nga ngjarjet treditëshe të marsit të vitit 2004, bashkësia ndërkombëtare, Ahtisari, Kosova dhe Ekipi i Unitetit në Vjenë, barazuan dhe këmbyen 100 vite të terrorit shtetëror serb. Klima politike e krijuar prodhoi këtë mendësi. Kjo e fundit prodhoi axhendën (Road Map) se si duhet shtruar problemi. Me këtë këmbim, natyrisht se është krijuar vend për zgjidhje, prej atyre të autonomive serbe në Kosovë, të kantonizimit, e deri te zgjidhjet federale. Që atëherë, afrimi ndaj Kosovës në opinionin ndërkombëtar, ka pësuar një kthesë dhe një prapsim.
***
Në rrethanat e infrastrukturës e mendësisë aktuale politike ku "të gjithë, kanë përgjegjësinë dhe të drejtën, të kujdesen për të gjithë...", mendësi të cilës i adaptohet hap pas hapi edhe politika dhe "e drejta ndërkombëtare", prej nga dalin edhe obligimet e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare të globalizmit, pra në një rrethanë të tillë, paraqitet si shumë i rëndësishëm vizioni dhe imazhi yt (i Kosovës në rastin tonë), përballë tjerëve, por dhe para vetës. Kurse imazhi, si edhe e vërteta apo objektiviteti, janë kategori dinamike, gjithherë të ndryshueshme në kontestin kohor dhe të ngjarjeve që vijnë... Lajmi, por para se gjithash fotoja dhe imazhi i fundit, dërgon në harresë atë parapraken! Duhet pothuaj gjithmonë ta ribësh apo ta zhvillosh më tej imazhin tënd (të Kosovës!), të ndërmarrësh iniciativa e të realizosh projekte, të cilat pastaj, janë antidot (kundërhelm!) i harresës (Public Affairs)! Dua të them se duhet të ndërtojmë monumente të cilat balsamosin në memorien e përbotshme, atë që për ne (Lexo: Kosovën!) duket e qenësishme.
***
Asnjërit nga ne sot, vetëm 9 vite pas masakrës e gjenocidit serb në Kosovë, mbi të afërmit tanë, fqinjët e bashkëkombësit, s’i bie ndërmend apo s’e di kush janë Ajshe Lushi, Sherife Smajli, familja Bala apo familja Berisha (Therandë), emrat që përmenda në krye të shkrimit! Ata humbën më 1999 familjen, gjithçka kishin, vetëm se ishin shqiptarë dhe kosovarë. Të gjitha viktimat kosovare, mbi 98%, janë viktima civile... e "të panjohur sot". Nebojsha Miniç, Radojko Repanoviç e Nenad Jovanoviç, ndërkaq, janë kriminelë që vranë e dhunuan familje të tëra kosovare...
Nëse harrojmë, nëse nuk evidentojmë, nëse nuk i paraqesim në një vend, atëherë vetëm si emra qytetarësh kosovarë, duken të barabartë e barazvlefshëm si njerëz - viktima me kriminelin: Ajshe Lushi e Nebojsha Miniç. Çfarë mëkati! Çfarë padrejtësie! Çfarë vrasjeje e dyfishtë! I kemi harruar vetë dhe kërkojmë t’i mbaj mend bota. Kërkojmë me vaj e me të drejtë, të mos harrojnë të tjerët se çfarë ndodhi në Kosovë: Kushneri, Solana e Ban Ki Muni! Tadiçi e Jeremiçi. Presim edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, e "presim" edhe një Uilli Brend serb a një Ban Ki Mun (xy-on) të OKB-së, të kërkojë ndjesë e përkulet para viktimave civile shqiptare. Po ku të përkulen e të kërkojnë ndjesë këta? Ku të përkulemi ne!
***
A është harresa kosovare, pamja dhe imazhi që po i dërgojmë botës? Në Kosovë çdonjëri që ka mbajtur qoftë edhe për një sekondë uniformën e UÇK-së e ka rënë në luftë, është hero, ka një përmendore dhe një rrugë mban emrin e tij. Ky imazh, një turisti a diplomati, gazetari e vizituesi të Kosovës, ia dërgon në harresë atë të vërtetën objektive, atë imazhin e ‘99-ës si kujtesë e emocion paraprak – ku si i huaj ishte dëshmitar i viktimave civile të gjenocidit, e i cili tregohej në CNN, Euronews, ZDF e media të tjera. Dalim qesharakë, si luftarakë e heronj, të gjithë Adem Jashara - çfarë s`jemi. Për më tepër, kjo pamje heronjsh gjithandej, përveçse tjetërson të vërtetën, mbulon edhe krimet e gjenocidin e ushtruar nga një aparat i strukturuar shtetërorë serb – realizues programesh të detajuara politike. Përveç kësaj, një të huaji dëshmitar të ‘99-ës, i bie në sy se askund nuk ka një përmendore a memorial, ta zamë për djalin e tij, i cili si gjerman, amerikan a francez, ra dëshmor i intervenimit të NATO-s! Më tej, viktimat civile në Kosovë, në kontekstin kohorë nga 1912-a, janë së paku dhjetë mijë herë më të shumta se ato të ushtarëve të UÇK-së. Ngjarjet e fatet e tyre, një mijë herë më rrëqethëse. Foshnje të mbytura në djep, nxënës të vrarë, arsimtarë, gra shtatzëna, bujq e akademikë, të varfër e të pasur, të mbytur vetëm. Pra, imazhi e pamja që i transmetojmë botës sot e gjeneratave, përmes memorialëve e lapidarëve ngjan të jetë vetëm ushtarë të vrarë në luftëra e beteja.
***
Për hir, jo vetëm të vërtetës, në Prishtinë, duhet të kishim, nëntë vite pas luftës, një "memorial madhështor të të gjitha viktimave civile të gjenocidit serb", ashtu siç e kanë Jerusalemi e Berlini, Aushvici e Kragujevci. Memorial, ku në arkiva e salla të ndryshme multimediale, ashtu si tek “Memoriali i Hebrenjve” në Berlin (dhe "hapësira e emrave"), mund të shihen e dëgjohen, pjesë nga biografitë e ngjarjet jetësore të viktimave... në disa gjuhë botërore. Ku do të mund të studiohen e të shikohen foto, dokumente, filma e video-xhirime nga viktimat e të persekutuarit, të terrorizuarit e dhunuarit, të burgosurit, të pagjeturit e të gjeturit vetëm si eshtra... viktima civile, të disa qeverive, ushtrive e policive - gjithherë serbe.
***
Memoriali i viktimave civile (dhe jo i heronjve!) ku do të gjenin prehjen kohë pas kohe edhe dy zonjat që përmenda më lart, edhe mijëra nëna të tjera kosovare, do ta ndihmonte edhe Kosovën e kërcënuar sot e nesër, nga letra e plani i Ban Ki Munit. Siç e thashë më lartë, para të tjerash fotoja dhe imazhi i fundit dërgon në harresë atë parapraken. Por në vend të kësaj, Kosova dhe lidershipi e diplomacia e saj, në takime me diplomatë e gazetarë të huaj kanë zgjedhur belbëzimet e bezdisshme të përsëritjes, si një pllakë e grithur gramafoni: "A e dinë se çfarë na ka ndodhur neve, a e dini Reçakun... viktimat etj?"
Një memorial, si imazh i fundit i asaj lufte - në këmbim të një mijë fjalëve tona e po aq planeve të huaja - të lutem, Kosovë.