E Shtunë, 31 Tetor 2026

DOBIA E NJË SAKRIFICE

Greva e urisë e disa deputetëve të partive të vogla ka përfunduar pa arritur dot objektivin. Duket se opinioni mediatik ka qenë i ndarë në vështrimin ndaj kësaj proteste, pasi disa e kanë konsideruar dështim, ndërsa të tjerë të suksesshme. Ju, si e shikoni? Kush mendoni se ka përfituar nga ky zhvillim politik?

Është e kuptueshme që gjykimet mbi këtë çështje të variojnë shumë. Si e mendon njëri, nuk e mendon tjetri. Shumë njerëz sot (mbas greve), thonë se disa gjëra mund të organizoheshin ndryshe nga grevistët dhe se ecuria e saj nxori në pah mungesa të qarta. Edhe unë kam vështrimin tim mbi detaje të organizimit të grevës dhe projektimin e skenarit të saj. Sikundër mendoj se këtu njëfarë “pa-përsosmërie” organizative është krejt e kuptueshme dhe e përligjur. Kemi të bëjmë me një kundërveprim politik e njerëzor spontan, në një masë të caktuar edhe emocional ndaj një dhunimi parimor, së paku ndaj një zhvillimi të perceptuar si i tillë. Nuk është se kemi ndonjë sfilatë mode, shfaqje ushtarake a spektakël televiziv. Edhe këto madje kanë defekte e mungesa në planifikimin e “hapit tjetër” apo “finalizimit spektakolar”, jo më një grevë ku hyhet vetëm pas një situate pa kompromis dhe një ngarkese të tejskajshme emocionale.

***

Vështirë ta thuash nëse greva ia arriti apo jo qëllimit të vet. Për këtë duhet njohur dhe saktësuar vetë objektivi, në të gjitha dimensionet e veta. Nga shpalljet e deritanishme të deputetëve grevistë, mund të rreshtojmë jo një të vetëm, por një paketë synimesh. E para gjë që duhet të mbetet jashtë çdo diskutimi është merita absolute dhe universale që ka gjithnjë vetësakrifikimi personal – për të shërbyer interesa të gjera të njerëzve. Aq e gjithëpranuar është kjo tezë, pra që çdo sakrificë që bën dikush mbi kurrizin e vet, në emër të një interesi më të gjerë, sjell një efekt pozitiv, saqë ajo përbën edhe boshtin e vetë doktrinës fetare në tërësi. Ky efekt vjen menjëherë apo më vonë, direkt apo indirekt, por vjen patjetër, fillimisht në formën e një informimi më të mirë, pastaj të një reflektimi e frymëzimi, pastaj të bindjeve që pasurojnë njeriun e ndërgjegjen e vet dhe shëndoshin shoqërinë. Dhe më në fund edhe të veprimit e kontributit për ndryshim. Jam i sigurt që edhe ky vetësakrifikim i parlamentarëve, ndonëse në një mjedis shqiptar, të lodhur, zhgënjyer e zhgërryer në vite nga veprimi politik injorant e përjashtues, nuk mund të mos lërë gjurmët e veta në reflektimin më të plotë e më të thellë të njerëzve.

***

Por, përtej këtij efekti puro “kristian”, ne, edhe unë, edhe ju, po edhe grevistët vetë, e dimë se ky akt synonte edhe disa rezultate të mirëpërcaktuara, krejt konkrete, sa teknike aq edhe politike. Se fundja, deputetët tanë nuk u futën atje as si fetarë apo spiritualistë të perënduar, as si “hipi” në një protestë kuturu ndaj realitetit. Le të arsyetojmë pak se sa e si ka shkuar puna e tyre. Të parin kemi një synim të përgjithshëm, i cili mund të riformulohet si sensibilizim publik, lidhur me prirjet e praktikave arrogante e monopolizuese në politikën shqiptare nga ana e dy lidershipeve, përkatësisht të PS-së e PD-së. A u arrit ky objektiv gjatë grevës? Unë mendoj se po. Ndjeshmëria e njerëzve ndaj sakrificës së lartë njerëzore dhe vëmendja e shtuar e të gjitha mediave mendoj se e bënë punën e vet në këtë drejtim. Nuk mund të mos pranojmë se këtej e tutje çdo “akord” apo “konsensus” midis dy të mëdhenjve të partive të mëdha do të kalojë edhe një filtër tjetër: atë të vëmendjes dhe shoshitjes së hollë nga ana e opinionit publik. Kjo ndjeshmëri tashmë mendoj se u arrit. Një tjetër nivel objektivi i shpallur ishte edhe bllokimi, ndalimi, qoftë edhe fizik (në kuptimin e vetësakrifikimit), e trashjes që po merrte kjo praktikë, nëpërmjet miratimit të disa neneve në Kodin Zgjedhor, të cilat - jo vetëm sipas grevistëve - përbënin një kompromis të pabesë në kurriz të partive të mesme e të vogla dhe njëkohësisht sanksiononin një aleancë të rrezikshme antidemokratike në politikën shqiptare. Është e qartë që këtij synimi grevistët nuk ia dolën, përderisa Kodi Zgjedhor u miratua me shumicën (e kopsitur që më parë) të votave. Por, a mos në këtë pikë mbetën pa asnjë “shpërblim”? Aspak, mendoj unë. Edhe sikur vetëm deklaratën e OSBE-së të marrim, kjo shënon një arritje të qartë për ta, në këtë drejtim. Ajo vulos faktin se defektet në Kodin Zgjedhor (qoftë edhe në ato 3-4 nene të diskutueshme) janë tashmë të njohura e për to të gjithë kanë mbajtur shënim; edhe ndërkombëtarët. Madje edhe vetë fakti i njëfarë tërheqjeje ose më mirë të themi i rishikimit që i bëri misioni i OSBE-së deklaratës së mëparshme të ambasadorit Bosh, nuk është arsye për zhgënjim të grevistëve dhe mbështetësve të tyre. Edhe ky fakt, në analizë të fundit, tregon ndjeshmëri, vëmendje të rritur dhe debat tek ndërkombëtarët. Debat me veten dhe me partnerët.

***

Dhe ja ku vijmë tani tek një nivel tjetër, më i lartë, si të thuash aspirata kulmore e kësaj ndërmarrjeje. Nuk ka dyshim se kjo është arritja e rezultateve shumë më të mira në zgjedhjet e ardhshme. Përtej tekniciteteve të votimit pra, sistemit elektoral dhe mënyrës së kalkulimit, garancisë së numërimit korrekt etj. synimi i mëpërtejmë i politikanëve grevistë, tre prej të cilëve janë edhe kryetarë partish politike, është pikërisht rritja e “aksioneve” elektorale të partive të tyre. Si duket ky aspekt? A mund të themi që LSI-ja fjala vjen, në mbyllje të grevës ka më shumë mbështetje publike apo më pak? Nëse iu rrit apo iu ul imazhi publik e politik? Nëse si pasojë, ajo në zgjedhjet e 2009-ës do të votohet nga më shumë apo më pak njerëz? Unë them se përgjigja këtu nuk mund të jetë veçse pozitive. Mbase në një periudhë të shkurtër kjo nuk do të ndihet dhe njerëzit do të jenë pak të tkurrur e të heshtur si pasojë e injorimit të çdo kërkese të grevistëve nga pushteti i kartonave. Por, shumë shpejt publiku do ketë të gjitha arsyet që ta rrisë simpatinë ndaj këtyre personave dhe partive që ata përfaqësojnë. Kjo, së pari, nga koha e reflektimit mbi pyetjen: “A kishin të drejtë grevistët?”, - që në këtë zhvillim të vrullshëm të këtyre ditëve edhe mund të mos jetë kuptuar si duhet. Dhe së dyti, nga një mundësi e madhe që hileqarët e vërtetë të kësaj situate, të vazhdojnë të gabojnë. Të shkojnë thellë e më thellë në arrogancën e tyre, deri në pikën që edhe më “bufi” t’i marrë vesh e t’i lexojë. Kjo do të ndodhë patjetër -sipas meje, - jo vetëm thjesht për shkak të euforisë prej punëve të derimëtanishme, por edhe për shkak të presioneve në rritje e të “pazarit të shtrënguar” që liderët e PS-së dhe PD-së do të luajnë ndaj njëri-tjetrit.

Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor përbën përmbushjen e një prej standardeve më të rëndësishme të integrimit euroatlantik. Përveç suksesit si “standard” sa mendoni se do të ndikojë realisht kjo mënyrë e re e zgjedhjeve në forcimin e stabilitetit politik dhe konsolidimin e demokracisë shqiptare?

Nuk ka njeri, besoj, që të “mërzitet” nga fakti që shqiptarët u morën vesh me njëri-tjetrin dhe konkluduan më në fund me rregulla zgjedhore të mira e të gjithëpranuara. I gëzuar shumë do të isha edhe unë, shumë madje, nëse do të ishim në këtë situatë. Por nuk jam edhe aq. E dini përse? Sepse të dy pikat që thamë më lart, në këtë proces dhe këtë legjislacion zgjedhor, rezultojnë me mangësi ose së paku janë mjaft gjallërisht të kontestuara. Vërejtjet nuk vijnë thjesht nga njerëz “konfliktuale”, as vetëm nga njerëz të painformuar. Kujtoj këtu se në prill, deri edhe disa orë para natës së 21-të të muajit, vetë Presidenti i Republikës, si dhe disa aleatë të urtë në koalicionet përreth secilit nga “liderët e mëdhenj”, kundërshtuan fort vetë sistemin zgjedhor. Presidenti Topi u ndal atëherë veçanërisht në nevojën e paraprirjes së procesit nga “një konsultim me bazë sa më të gjerë” dhe nga përfshirja më e mirë në debat e juristëve më të mirë dhe konstitucionalistëve profesionistë. Edhe sot nuk kam arritur ta kuptoj fort mirë, se çfarë të keqeje shihnin dy liderët, nëse procesit do t’i jepnin këtë dimension e hapësirë të gjerë pjesëmarrëse e konsultative.

Në fakt, sikundër kemi pasur rastin ta themi edhe herë të tjera, muaj të shkuar, qëndrimi im ndaj legjislacionit zgjedhor nuk lidhet dhe aq me kodin që kaloi pardje. Edhe pse në kod mund të ketë vend për korrigjime e saktësime, mospajtimi im ka të bëjë kryesisht me sistemin zgjedhor. Jam i bindur që nëse do të kemi një padrejtësi të pashmangshme lidhur me zgjedhjet e ardhshme, kjo do të vijë jo aq nga policët, komisionet e komisionerët, sesa nga vetë sistemi i votimit. Sistemi proporcional rajonal për mua është ndëshkimi më i ashpër, më përjashtues e më i drejtpërdrejtë që marrin partitë e mesme e të vogla, pra pluralizmi në Shqipëri. Jo për këtë fakt, pra jo sepse po përjashtohen një numër partish satelite e mikroskopike ato le të shuhen e përjashtohen - pata thënë edhe unë asokohe. Të shuhen, po si? - kjo është çështja. Dhe këtu nuk mund të mos shohim se sistemi dhe kodi i ri i përjashtojnë të vegjlit krejt dhunshëm dhe arbitrarisht. Krejt padrejtësisht. Sepse i tillë është sistemi i përzier, i modifikuar e i sajuar që kemi ngritur me zor: proporcionali rajonal. Ai, veçanërisht në një numër të madh rajonesh, jashtë Tirane, jo vetëm i vendos qysh në fillim partitë e mesme në pozita diskriminuese (ku ato duhet të arrijnë fjala vjen pragje mbi 20 për qind, për të pasur një deputet), por u bën edhe një padrejtësi të dytë ashiqare: u zhduk përqindjet e mbledhura në këto zona ku partitë e mesme vërtet s’kanë fituar dot deputet, por kjo s’do të thotë se nuk kanë mbledhur vota.

Ndërsa edhe më themelore, edhe më parimore se të gjitha këto, më duket jo përmbajtja e kodeve dhe amendimeve, jo formulimi i neneve dhe përbërja e komisioneve sesa diçka tjetër. Ky është procesi i marrjes së vendimeve, kompromiset mjaft përjashtuese mbi të cilat janë kaluar ndryshimet, metoda e mbyllur dhe ngutja për t’i kaluar gjërat pa u përtypur mirë as nga vetë politika (pa le pastaj nga publiku), për t’i kaluar natën, në të gdhirë, a thua se na ka rënë ujku në dele, a thua se nuk është po ky menaxhim parlamentar që me ditë e javë të tëra mund të flejë edhe gjumë, apo t’ia hipë avionit e të harrohet tutje, botës arabe (sigurisht pjesës së pasur e “bamirëse” të saj).

Është procesi ai që plotëson apo jo standardet e integrimeve, që forcon apo jo stabilitetin social e politik në vend dhe jo dokumenti i miratuar në vetvete. Përndryshe dokumenti s’është veçse një plotësim inventari.

Gjithnjë e më shumë vende të botes dhe të rajonit po pranojnë “recesionin” si pasojë e krizës financiare mbarëbotërore. Në Shqipëri nuk ka ende një përcaktim ose më mirë të themi një “alarm” zyrtar apo publik për efektet e kësaj krize. A mund të jetë e sigurt ideja se ekonomia, dhe në mënyrë te veçantë sistemi ynë bankar, janë të mbrojtur nga efektet e krizës globale? Si mund të shmangen goditjet serioze për ekonominë shqiptare?

Kriza financiare është shpalosur tashmë me tërë dimensionet e saj mbi botën e zhvilluar ndaj ekspertët dhe politika e këtyre vendeve nuk kanë më asnjë dyshim se është fjala për një krizë serioze, që do të zgjasë e do të godasë edhe më fort në muajt e ndoshta dy-tre vitet e ardhshme. Për më tepër është bërë fare e qartë shtrirja e kësaj krize nga sektori financiar në të gjitha aspektet e jetës ekonomike, duke pasur si rezultante një rënie të ritmeve të rritjes së prodhimit në shifra që konsiderohen “recesion” me një probabilitet rënieje në “depresion”. Sa për dallimin mes këtyre dy gjendjeve, ekonomistët thonë me shaka këtë përkufizim: “Recesion” kemi kur kolegu juaj humbet vendin e punës. Ndërsa “depresion”, kur ti vetë pushohesh nga puna(!).

Ndërsa debati ynë i brendshëm (se jo se nuk ka pasur debat edhe këtu), ende dominohet nga bindja se financat dhe ekonomia jonë gëzojnë një shkallë më të lartë mbrojtjeje, përballë kësaj krize që godet kryesisht “majat e larta” të botës ekonomike dhe të financave. Një siguri e tillë mendoj unë është e përligjur, vetëm pjesërisht, kryesisht në pjesën që lidhet (paradoksalisht) me thjeshtësinë dhe mungesën e sofistikimit të sistemit dhe tregut tonë bankar, çka bën që depozitat tona të mos kërcënohen shumë, gjithsesi shumë më pak sesa në shumë vende të tjera në një stad më të mirë zhvillimi. Garancinë absolute në këtë fushë sigurisht nuk duhet ta kërkoni prej meje, por prej përgjegjësve të sektorit. Ndërsa nëse ngulni këmbë, unë do të thosha se siguri absolute në këto fusha nuk ka, sepse mundësia dhe shkalla e ndodhjes së lëkundjeve nuk janë “të betonuara” e të palëvizshme. Ato ndikohen shumë nga strategjitë dhe taktikat konkrete që aplikojnë bankat në një periudhë të dhënë, nga hapësirat e boshllëqet që mund të ketë legjislacioni bankar, fjala vjen, për transferime zhbalancuese të parave jashtë vendit, por edhe nga masat shtesë (për kohë krizash) dhe shkalla e mbikëqyrjes nga ana e autoriteteve qendrore. Së paku, këto të fundit nuk falen që të flenë mbi dafina në këta muaj të vështirë që kemi përpara. Ca më pak mund t’u falen atyre “festimet” dhe euforia nga gjetja e formulave romantiko-agrare. Të tilla, fjala vjen, si “Shqipëria-ullishte”!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›