Serbia “e rikthyer” përballë Kosovës së hutuar…!
Ditë më parë në Prishtinë, u mbajt një debat i titulluar “Imazhi çon peshë”, organizuar nga Forumi 2015 i bazuar në një raport të përgatitur nga IKS – Iniciativa Kosovare për Stabilitet. Pra, temë qendrore ishte “Branding Kosova” apo “Imazhi i Kosovës në botë...!” Branding dhe Imazhi kanë të bëjnë me perceptimin që ka pala tjetër kundrejt një “produkti”, në rastin tonë – për Kosovën! Pra, është perceptuesi i atij brendi apo produkti, ai që vendos apo që shpalon se çfarë sheh, çfarë ndien e përjeton a percepton dhe cili është emocioni e përfundimisht edhe reagimi tij ndaj atij brendi...! Brendet testohen përmes asaj se çfarë mbajnë mend njerëzit për “produktin” në test, pas një kohë, andaj do të ishte interesante të bëhej sot një test kujtese në Kosovë! Duke filluar me parlamentarët kosovarë, ministrat e Kryeministrin, Presidentin e tutje shoqërinë Kosovare - me një pyetje shumë të thjeshtë: “Çfarë ju kujton apo asocion emri i zonjës Sherife Smajli, i zonjës Ajshe Lushi? Çfarë ju asocion emri i familjes Bala në Pejë apo çfarë dini për ish-bashkëqytetarët tuaj Nebojsha Miniç, Radojko Repanoviç apo Nenad Jovanoviç?” Natyrisht se përgjigjet do të ishin nga më të ndryshmet, por gjithsesi shumë dëshpëruese, lënduese e ndoshta edhe rirepresive për të lartpërmendurit, përveç ndonjërit syresh, i cili do t’i gëzohej këtij fakti. Se kush janë të lartpërmendurit dhe për çka e kam fjalën, do të flas pak më poshtë. Kosova sot më shpërfaqet si një baushtellë a një punishte, ku çdo gjë mbetet përgjysmë… shumëçka është e nisur, por asgjë s’është e mbarur! Vendin në fakt e shpëtoi një ide-tomahovkë a një bombë “mendësie” dhe kulture politike e gjuajtur në kohë e hapësirë nga Ronald Regan, i cili katapultoi e promovoi atëbotë “Rendin i ri botëror”! Kosovën nga gjenocidi serb e shpëtoi etablimi i këtij Zeitgeist-i (mendësie) kontemporan globalizmi, që promovonte sovranitetin e kufizuar të shteteve në botën bashkëkohore, e ku “të gjithë kanë përgjegjësinë dhe të drejtën të kujdesen për të gjithë”. Ky Zeitgeist apo kjo mendësi e etabluar në botë, ishte bazë e vendimit për bombardimet e NATO-s në funksion të shpëtimit të kosovarëve nga gjenocidi serb... dhe të pezullimit të sovranitetit serb në Kosovë përmes rezolutës 1244. Kjo mendësi ishte dhe mbetet edhe bazë e pavarësimit, por dhe argumenti qenësor në mbrojtjen e “pavarësimit si proces” në Gjykatën e Hagës nesër! Por e njëjta mendësi që na doli në ndihmë dje, legjitimon ndërkohë edhe brengën e Bashkësisë Ndërkombëtare sot, për të drejtat dhe mirëqenien e pakicës serbe në Kosovë. Dhe këtë duhet kuptuar drejt e sa më parë! “Kushdo që lexon dokumentet e bisedimeve të Vjenës, krijon përshtypjen absurde se jo shqiptarët, por serbët ishin për njëqind vite nën terrorin e gjenocidin shqiptar! Së këndejmi na vijnë vendimet edhe sot nga Ban Ki Moon, se janë shqiptarët që duhet zhveshë pushteti gjithandej kah jetojnë serbët në Kosovë, gjithandej kah janë varret e kishat serbe... pra, janë shqiptarët që duhet dhanë garanci nga më absurdet, nga më galantet, nga më asimetriket në botë, në mënyrë që serbët të pranojnë të bashkëjetojnë në të njëjtin nënqiell e në një shtet “mushkë”, me shqiptarët – “shtypës tradicionalë”! Pse ngjan kështu? Mbi mendësinë e ndërtuar nga ngjarjet treditëshe të marsit të vitit 2004, Bashkësia Ndërkombëtare, Ahtisaari, Kosova dhe Ekipi i Unitetit në Vjenë, barazuan dhe këmbyen 100 vite të terrorit shtetëror serb. Klima politike e krijuar prodhon mendësinë. Kjo mendësi, pastaj, prodhon axhendën (Road Map) se si duhet shtruar problemi. Mbi këtë mendësi dhe me këtë këmbim, natyrisht se është krijuar vend për zgjidhje, prej atyre të autonomive serbe në Kosovë, të kantonizimit, e deri te zgjidhjet federale (B. Metaj, Kolumne në gazeta “Java”, 13 prill 2006)! Që atëherë, sipas mendimit tim, qasja ndaj Kosovës në opinionin ndërkombëtar, ka pësuar një kthesë dhe një praptim! Në rrethanat e infrastrukturës e mendësisë aktuale politike ku “të gjithë kanë përgjegjësinë dhe të drejtën të kujdesen për të gjithë...”, mendësi të cilës i adaptohet hap pas hapi edhe politika dhe “E Drejta Ndërkombëtare”, prej nga dalin edhe obligimet e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare të globalizmit, pra në një rrethanë të tillë, shpërfaqet si shumë i rëndësishëm vizioni dhe imazhi yt (i Kosovës në rastin tonë), kundrejt të tjerëve, por dhe kundrejt vetës. Kurse imazhi, si edhe e vërteta apo objektiviteti, janë kategori dinamike, gjithherë të ndryshueshme në kontestin kohor dhe të ngjarjeve që vijnë. Lajmi, por para se gjithash fotoja dhe imazhi i fundit, dërgon në harresë atë parapraken. Duhet pothuaj gjithherë ta ribësh apo zhvillosh tutje imazhin tënd (të Kosovës!), të ndërmarrësh iniciativa e të realizosh projekte, të cilat pastaj, janë antidot (kundërhelm!) i harresës (Public Affairs)! Dua të them se duhet të ndërtojmë monumente të cilat balsamosin në mendësinë e përbotshme atë që për ne (Lexo: Kosovën!) duket e qenësishme! Përndryshe, ngjan ajo që po i ngjan Kosovës sot: Viktima të djeshme shpërfaqen si dhunues të sotëm...?! Në rastin tonë, sado e padrejtë që është, ngjan që fotot, pamjet e imazhet si dhe lajmet e marsit kosovar të 2004-ës mbulojnë sot ato të 1999-ës. Një video-xhirim pushkatimi i një familjeje shqiptarësh më ‘99-ën mbulohet nga një foto e djegies talebane të kishave serbe më 2004! Mbi këto imazhe dhe emocione të ‘99-ës, mendësia e përbotshme e opinionit publik ndërkombëtar vë imazhin dhe emocionin e marsit 2004! Në politikën ndërkombëtare ndërkaq, ku si thamë, “të gjithë, kanë përgjegjësinë dhe të drejtën të kujdesen për të gjithë...”, ngjan pastaj si konsekuencë, një “Road Map” e re politike, si Plani Ahtisaari apo 6 pikat pa presje të Ban Ki Moon-it! Kjo natyrisht se s`arsyeton këto vendime të Bashkësisë Ndërkombëtare, por flas se çfarë ngjan, që eventualisht të shpalojmë se çfarë mendoj se duhet bërë ne sot e në të ardhmen. Holokausti dhe gjenocidi ndaj shqiptarëve dihet se ka ngjarë, por ne s`po e dëshmojmë e s`kërkojmë atë evidentim të tij, në Zeitgeist-in e mendësinë botërorë, bilës ne, të paktën ta kishim balsamuar në mendësinë tonë! Por as kjo s`po ngjanë! Asnjërit prej nesh sot, vetëm 9 vite pas masakrës e gjenocidit serb në Kosovë, mbi të afërmit tanë, fqinjët e bashkëkombësit, s’i bie ndërmend apo s’e ka ditur kurrë se kush janë Ajshe Lushi, Sherife Smajli, Familja Bala apo familja Berisha (Therandë), emrat që përmenda në krye të shkrimit. Kurse ata kanë humbur më 1999 gjithë familjen, gjithçka që kishin, vetëm se ishin shqiptarë dhe kosovarë. Të gjitha viktimat kosovare, mbi 98%, janë viktima civile... e “të panjohur sot”! Nebojsha Miniç, Radojko Repanoviç e Nenad Jovanoviç, ndërkaq, janë kriminelë që kanë vrarë e dhunuar familje të tëra kosovare...! Nëse harrojmë kush është kush, nëse nuk evidentojmë, nëse nuk i shpalojmë në një vend, atëherë vetëm si emra qytetarësh kosovarë duken të barabartë e barasvlershëm si njerëz - viktima me kriminelin: Ajshe Lushi e Nebojsha Miniç. Çfarë mëkati! Çfarë pa drejtësie! Çfarë vrasjeje e dyfishtë! Ne i kemi harruar vete, ndërkaq kërkojmë që t’i mbajë mend bota! Dhe kërkojmë me vaj e me të drejtë, të mos harrojnë të tjerët se çfarë ka ngjarë në Kosovë: Kushneri, Solana e Ban Ki Moon-i! Tadiçi e Jeremiçi! Ne pra, presim edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, e “presim” edhe një Willy Brandt serb a një Ban Ki Moon (xy-on) të OKB-së, që të kërkojë ndjesë e përkulet para viktimave civile shqiptare të gjenocidit serb në Kosovë. Po ku të përkulen e kërkojnë ndjesë këta? Ku të përkulemi ne! A është harresa kosovare, pamja dhe imazhi që po i dërgojmë botës? Jo! Për me keq e për më tepër, më shumë se harresa, është manipulimi që bëjmë me vetën dhe me botën! Në Kosovë, thua se dikush kishte qëllim që të mbuloheshin me pluhurin e harresës dhjetëra mijëra viktima civile të Holokaustit e gjenocidit të qeverive serbe. Dhe këtë pluhur harrese s`mund t`ia lamë ndërkombëtarëve si faj, siç bëjmë me shumëçka tjetër. Dhe s`mund t`ia lamë as Serbisë. E bëmë vetë. Njëjtë apo ngjashëm si Serbia që manipulon me t. vërtetën e Kosovës, bëjmë edhe ne shqiptarët përmes imazhit të monumenteve e përmendoreve të pas 1999-ës! Në Kosovë çdonjëri që ka mbajtur qoftë edhe për një sekondë uniformën e UÇK-së e ka rënë në luftë, është hero, ka një përmendore dhe një rrugë mban emrin e tij. Kjo pamje dhe ky imazh, një turisti a diplomati, gazetari e vizituesit të Kosovës, ia dërgon në harresë atë të vërtetën objektive, atë imazhin e ‘99-ës si kujtesë e emocion paraprak – ku si i huaj ishte dëshmitar i viktimave civile të gjenocidit, e i cili shpalohej në CNN, Euronews, ZDF e media të tjera. Ne dalim qesharakë, si luftarakë e heronj, të gjithë Adem Jashara - çfarë s`jemi, për më tepër, kjo pamje heronjsh gjithandej, përveç që tjetërson të vërtetën, mbulon edhe krimet e gjenocidin e ushtruar nga një aparat i strukturuar shtetëror serb – realizues programesh të detajuara politike. Përveç kësaj, një të huaji dëshmitar të ‘99-ës i bie në sy se askund nuk ka një përmendore a memorial, ta zamë për djalin e tij, i cili si gjerman, amerikan a francez ka rënë dëshmor i ndërhyrjes së NATO-s. Dëshmori i idealeve kontemporane e Zeitgeist-it sot, për një botë ku “të gjithë, kanë përgjegjësinë dhe të drejtën të kujdesen për të gjithë...”! Në këtë rast, i çliruari nuk nderon çlirimtarin. Imazh katastrofal e bukëpërmbysës, do të thosha. Tutje, viktimat civile në Kosovë, në kontekstin kohor nga 1912-ta, janë së paku dhjetë mijë herë më të shumta se ato të ushtarëve të UÇK-së. Ngjarjet e fatet e tyre, një mijë herë më rrëqethëse! Foshnje të mbytura në djep, nxënës të vrarë, arsimtarë, gra shtatzëna, bujq e akademikë, të varfër e të pasur, të mbytur vetëm se ishin shqiptarë kosovarë! Pra, imazhi e pamja që i transmetojmë botës sot e gjeneratave që vijnë, përmes memorialëve e lapidarëve ngjan të jetë vetëm ushtarë të vrarë në luftëra e beteja. Por kjo ikonografi me përmendoret e luftëtarëve e heronjve të jep pamjen e rrejshme, të një lufte të pandërprerë e frontale 100-vjeçare të dy ushtrive, shqiptare dhe serbe. Ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër. Ne ishim viktima padrejtësish: fillimisht viktima të një aneksimi, e pastaj terrori për shpërngulje dhe përfundimisht, gjenocidi! Por me gjasë, kosovarëve sot, e vërteta dhe prezantimi i sinqertë i atij kalvari e gjenocidi, ua humb imazhin mitologjik e “historik”, të cilin e kanë në qejf - burrërinë e patriotizmin alla Mic Sokoli, të gjithë, gjithherë në luftë, e të gjithë Adem Jashara apo të paktën Isa Boletina! S`po e komentoj më tutje... çdo njeri ka drejtë të besojë se çfarë është! Për hir, jo vetëm të vërtetës, në Prishtinë, duhet të kishim deri sot, nëntë vite pas luftës, një “memorial madhështor, të të gjitha viktimave civile të gjenocidit serb”, ashtu siç e kanë Jerusalemi e Berlini, Aushvici e Kragujevci! Kosovarët e Kosova sot, apo më drejt që në përfundim të luftës, kishim urgjencën që të angazhonim arkitektët më me nam, vendorë e ndërkombëtarë për ndërtimin e një memoriali, kryevepre arkitektonike, ku do të ekspozoheshin emrat, biografitë, veshmbathjet, fotot, shkrimet, reliktet e gjësendet e të gjitha viktimave civile të gjenocidit serb. Memorial, ku në arkiva e salla të ndryshme multimediale, ashtu si tek Memoriali i Hebrenjve në Berlin (dhe “hapësira e emrave”), mund të shihen e dëgjohen, pjesë nga biografitë e ngjarjet jetësore të viktimave... në disa gjuhë botërore, ku do të mund të studiohej e të shikohen foto, dokumente, filma e video-xhirime nga viktimat e të persekutuarit, të terrorizuarit e dhunuarit, të burgosurit, të pagjeturit e të gjeturit vetëm si eshtra... viktima civile të disa qeverive, ushtrive e policive - gjithherë serbe! Sot, të gjitha shtetet e kombet janë në përballje me “kërcënimet” globale. S’është se të gjithë marrin plane 6-pikëshe nga Ban Ki Moon-i! Të tjerët duhet të mbrohen nga kriza financiare, klima etj. së bashku dhe veç e veç. Globalizmi kërkon Zeitgeist-in dhe filozofinë “Think Global and deal Local” - mendo globalisht e vepro lokalisht! Përkthyer në rastin që po trajtoj i bie se nëse Kosova nuk ka fonde që të xhirojë e promovojë filma me buxhete dhjetëramilionëshe me artistë e regjisorë Hollivudi për të vërtetën rreth gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ajo gjithsesi ka fonde që të ndërtojë një qendër të madhërishme e të dinjitetshme memoriale në Prishtinë. Kur një burrështetas i huaj viziton Izraelin, është “i obliguar” nga “protokolli i paraparë diplomatik”, që së pari të vizitojë memorialin e viktimave të nazizmit, ta zamë atë “Yad Vasham” (ka disa memoriale), në të cilin emrat janë më të rëndësishëm se numrat! Në njërën nga pjesët e tij, në një dhomë të terruar (ashtu si edhe në Berlin), lexohen pandërprerë emrat e fëmijëve të vrarë. Pjesë e konceptit memorial është që viktimat të përkujtohen si individë me histori e ngjarje të veçanta, të cilat dëgjohen e përjetohen aty. Në ndërkohë, në Kosovë e Shqipëri, pothuaj asnjërit prej nesh s’i thotë gjë më emri i Ajshe Lushit e Sherife Smajlit! Sikurse s`na thonë gjë as emrat e kriminelëve me shumë shokë të Nebojsha Miniçit, Radojko Repanoviçit apo Nenad Jovanoviçit! Memoriali i viktimave civile (dhe jo i heronjve!) ku do të gjenin prehjen kohë pas kohe edhe dy zonjat që përmenda sikur edhe mijëra nëna të tjera kosovare, do ta ndihmonte edhe Kosovën e kërcënuar sot e nesër, nga letra e plani i Ban Ki Mooni-it! Në vend të debateve të pafund me Solanën e Kushnerin, zonjën Tina Kajdanov e Daniell Fried për të rrezikuarit sot – pakicën serbe në Kosovë, të cilët duhen mbrojtur nga marsi i 2004-ës dhe të elaborimeve tona se pse thotë Kosova “jo”, do të mjaftonte e ndihmonte shumë më shumë se një mijë fjalë, një vizitë protokollare me të njëjtit, por edhe diplomatë, burrështetas, gazetarë e Ban Ki Moon-a tjerë, që para se të shqyrtohej plani 6-pikësh, në “Memorialin e viktimave të gjenocidit serb” në Prishtinë, të dëgjohej, shihej, prekej e përjetohej, përmasa e tragjedisë e gjenocidit serb mbi shqiptarët. Përmasa e frikës e skepsës që kemi, kur na trupon Serbia këndej, çoftë edhe vetëm në letra e plane! Siç e thashë më lartë: “Para se gjithash, fotoja dhe imazhi i fundit dërgon në harresë atë parapraken!” Por në vend të kësaj, Kosova ime dhe lidershipi e diplomacia e saj, në takime me diplomatë e gazetarë të huaj kanë zgjedhur belbëzimet e bezdisshme të përsëritjes, si një pllakë e grithur gramafoni: “A e dinë se çfarë na ka ngjarë neve, a e dini Reçakun... viktimat etj?” Një memorial, si imazh i fundit i asaj lufte - në këmbim të një mijë fjalëve tona e po aq planeve të huaja - të lutem, Kosovë!