Paketa “Berluskoni” si sukses i Berishës
Vizita e Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, në Tiranë dhe sidomos paketa e investimeve që ai solli me vete janë pa dyshim një arritje e jashtëzakonshme politiko-ekonomike. Asnjë qeveri apo organizëm tjetër ndërkombëtar nuk ka sjellë në një vizitë të vetme investime me vlerë 2,5 miliardë euro në projekte aq të domosdoshme edhe për ekonominë shqiptare, siç është energjetika. E gjithë kjo është me pak fjalë konkretizimi i një politike që premtoi, synoi dhe po realizon hapjen, integrimin dhe prosperitetin e një vendi që vetëm 17 vjet më parë ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe bunkerë. Kur Kryeministri Sali Berisha deklaronte se Shqipëria do të ishte parku energjitik i Evropës, shumë pak njerëz, sidomos nga ata që merren me politikë apo me media e besuan apo e mbështetën këtë projekt të qeverisë së tij. Mirëpo sot, pas vizitës së Berluskonit dhe firmosjes së marrëveshjeve nuk besoj se do të ketë më të tillë.
Dua të theksoj se ky është vetëm konkretizimi i efekteve të një politike qeverisëse të nisur që me ardhjen në pushtet të koalicionit të djathtë në 2005-ën. Krijimi i kushteve për thithjen e investimeve të huaja ka qenë një premtim dhe një synim elektoral i zotit Berisha dhe mazhorancës së tij. Në gjendjen në të cilën ai mori përsipër qeverisjen e Shqipërisë, dukej pothuaj e pabesueshme realizimi brenda një mandati i këtij synimi. Natyrisht që një situatë e tillë nuk erdhi vetvetiu. U desh një vullnet i paparë politik për të realizuar reformat që do t’i hiqnin Shqipërisë imazhin e përbaltur që demokratët e zotit Berisha trashëguan nga paraardhësit e tyre ish-komunistë. Shndërrimi i Shqipërisë nga një vend ku qytetarët perëndimorë porositeshin nga qeveritë e tyre për të mos udhëtuar, në një vend garant për investime miliarda eurosh, është pa dyshim një realitet, një kontrast dhe sidomos një arritje e jashtëzakonshme. Pa dyshim që garancitë për investime të huaja janë të shumta. Rritja e dukshme e rendit dhe sigurisë publike, ulja e ndjeshme e nivelit të korrupsionit, lufta kundër trafiqeve të paligjshme ndërkombëtare dhe krimit të organizuar, thjeshtëzimi i proceduarave burokratike në raport me bizneset, lehtësitë fiskale etj. janë reforma që kanë garantuar, tani edhe konkretisht, vërshimin e investimeve perëndimore në Shqipëri. Por nuk mbaron këtu. Këto garanci të brendshme janë shoqëruar edhe me garanci ndërkombëtare, siç janë anëtarësimi në NATO i Shqipërisë si dhe suksesi i saj në realizimin e kushteve dhe detyrimeve të MSA-së me BE-në e shoqëruar kjo me dhjetëra marrëveshje e konventa e organizma, multi dhe bilaterale, që kemi firmosur apo aderojmë.
Pra, siç po argumentojmë suksesi në tre vjet i qeverisjes “Berisha” është i dukshëm dhe i pakontestueshëm. Vendimi i qeverisë dhe bizneseve Italiane për të investuar miliarda në Shqipëri është pa dyshim përgjigja më e mirë ndaj opozitës dhe kritikëve antiqeveritarë pranë apo rreth saj. Investimet si këto janë prova më e mirë që zhvleftëson çdo përpjekjeje politike apo mediatike për të manipuluar opinionin publik dhe atë ndërkombëtar për realitetin në Shqipëri.
Në këtë realitet, ai që duhet të ndihet më i vlerësuari, më krenari, më i suksesshmi është pa dyshim Kryeministri Berisha. Ky realitet, kjo hapje, ky sukses i Shqipërisë është tërësisht pjesë e vizionit, planit dhe projektit të tij politik. Kritikët e tij, pas kësaj, nuk besoj se kanë shumë për të thënë. Shpresoj gjithashtu të mos i nxjerrin edhe Berluskonit dhe marrëveshjeve, investimeve e sidomos parave që ai solli në Shqipëri, ndonjë rrënjë, lidhje apo origjinë serbe.