Serbia lëshon patentë për banorët e Kosovës
Qeveria e Serbisë ka shtrirë aktivitetin e saj me të madh në veri të vendit dhe tashmë ka filluar të lëshojë edhe patentë shoferi për banorët serbë të Kosovës. Sipas mediave kosovare, bëhet e ditur se ditë më pare, policia e Kosovës gjatë një kontrolli ka ndaluar një serb të Kosovës nga fshati Suhodoll i Mitrovicës, tek i cili ka gjetur një patentë-shoferi të lëshuar nga qeveria e Serbisë.
Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti ka thënë se të gjitha dokumentat të cilat lëshohen nga Serbia për banorët e Kosovës do të konfiskohen nga policia.
“Ky është urdhër i prerë i lëshuar nga ministri i Punëve të Brendshme që policia duhet ti zbatojë”, tha Hoti. Ai ka përmendur edhe raste të konfiskimit të targave të reja të Serbisë për automjetet e banorëve të Kosovës.
Në fund të muajit shkurt dhe në fillim të muajit mars, mbi 180 serbë të Kosovës kanë pajisur automjetet e tyre me targa të reja të Serbisë, ndërkohë që Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka nxjerrë një urdhër për konfiskimin e këtyre targave.