E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia merr statusin Kosova pa viza dialogu nis ne dhjetor

Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave për aderimin e Malit Zi në Bashkimin Europian, ndërsa shprehet i gatshëm t’i japë Serbisë statusin e vendit kandidat menjëherë pas rifillimit të dialogut me Kosovën. Në Bruksel u publikua sot raporti i përvitshëm mbi progresin drejt aderimit në BE të Ballkanit Perëndimor, Turqisë e Islandës. Viti që mbyll edhe negociatat për aderim të  Kroacisë, ka shënuar përparime dhe në të tjera vende të Ballkanit Perëndimor.

Në raport vërehet suksesi i Serbisë në arrestimin e dy të akuzuarve për krime lufte gjatë luftës në ish jugosllavi; çka i hap rrugën Beogradit drejt  BE-së.  Dokumenti vlerëson edhe çeljen e bisedimeve Prishtinë-Beograd ku janë prodhuar rezultatet e para. Megjithatë Kosovës i bëhet thirrje të hartojë një axhendë për Veriun duke vërejtur tensionet ende të pranishme në këtë pjesë të vendit. Komisioneri Stefan Fule propozoi çeljen e bisedimeve për liberalizimin e vizave me Prishtinën zyrtare, ndërsa theksoi se ka ende divergjenca mbi statusin e Kosovës që mbeten një pengesë e qënësishme në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet BE dhe këtij vendi.

Raporti vlerëson progresin politik në një sërë fushash përfshirë dhe atë të koordinimit të axhendës europiane, por nënvizon se zgjedhjet e përgjithshme u cënuan nga pretendimet për mashtrim. Përveç kësaj nevoje për progres në reformën elektorale, Brukseli zyrtar kërkon më tepër hapa edhe përsa i përket forcimit të ligjit e autoritetetit  gjyqësor; ndërsa thekson se sfida reale mbetet krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë. Komisioni propozon nisjen e një dialogu të strukturuar përsa i përket sundimit të ligjit.

Dokumenti thekson se përparimet kanë munguar në vendosjen e një ekonomie funksionale të tregut; ndaj për këtë Komisioni shpreh shqetësime rreth hartimit të një buxheti të qëndrueshëm  në planin afatgjatë, pasi planifikimi i politikave ekonomike e implementimi i tyre ka qenë i dobët. Komisioni Europian ripërsëriti rekomandimet e mëparshme dhe për Maqedoninë, ku sërish çështja e emrit vazhdon të përbëjë një problem të qënësishëm. Ende në rajon vlerësohen si problematike qeverisja e mirë, ushtrimi i ligjit,  kapacitetet administrative, papunësia dhe reformat ekonomike, por edhe mungesa e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të caktuara.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›