E Shtunë, 31 Tetor 2026

TVSH-ja e ushqimeve Berisha Nuk e heqim

Kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë kërkesën e socialistëve për të hequr TVSH për ushqimet. Shefi i qeverisë e argumentoi qëndrimin e tij duke theksuar se 50% e popullsisë jeton në zonat rurale ku prodhohet gruri, qumështi dhe veza dhe qeveria nuk mund t`u heq nga duart fermërëve fitimin për këto produkte. "Nuk preken TVSH-të, asgjë që dëmton interesat e 50 për qind të shqiptarëve që janë prodhues nuk mund të pranohet nga kjo qeveri", tha kryeministri Sali Berisha.

Berisha kërkoi nga bashkia e Tiranës që në bashkëpunim me pushtetin qendror të rregullojë trafikun në kryeqytet. Kryeministri sugjeroi që në Tiranë të ndiqet e njëjta praktikë si në metropolet e botës për qarkullimin e makinave me targa teke dhe targa cifte.

"Tirana ka nevojë për punëra të mëdha për të krijuar një trafik tjetër. Duhet të bëhen matjet, në rast se ka tejkalime, duhet biseduar me autoritetet vendore në mënyrë që të lëvizin me targa cifte dhe targa teke sipas ditëve. Po e bëjnë metropolet e të gjithë europës", vijoi Berisha.

Qeveria miratoi edhe ndryshimet në ligjin për noterinë. Disa funksione që i kishte më parë zyra e regjistrimit të pasurive, do ti marrë përsipër tashmë institucioni i noterisë.

"Synon modernizimin dhe vendosjen e tij on line për ti bërë transparencë të plotë dhe unë dua ti përgëzoj dhe noterët që e mbështësin këtë nismë. Por edhe ndryshimi që bëhet këtu në ligj, disa funksione që i kishte më parë zyra e regjistrimit të pasurive, tani për të shkurtuar kohën për biznesin dhe qytetarët i merr përsipër institucioni i noterisë", tha kryeministri.

Në mbledhjen e qeverisë, Berisha theksoi se pushteti vendor ka zbatuar me seriozitet vendimin për heqjen e varrezave të makinave. Deri tani, janë shkatërruar 317 grumbullime të varrezave të makinave dhe janë në process 77 të tjera.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›