E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Rama kërkon gjethe fiku

Sipas Topalli, edhe Partia Socialiste është në dilemë në deklaratat e saj, pasi Ruçi thotë se mandati i dhënë nga KQZ-ja është i paligjshëm dhe Rama thotë të kundërtën.

“Kësaj here Rama paska gjetur sirtarin e Jozefinës. Ky burri që qan se e rreh Jozefina të sqarojë shqiptarët se kush e solli Seserin në Parlament, të sqarojë se pse ajo vendosi të vijë vetëm 3 herë në Parlament, mos është ky faji i Jozefinës... Unë them që është unik rasti i saj në përçmimin që i bën Kuvendit dhe atyre që e kanë zgjedhur. Ky është rasti i degradimit, fenomen i pashembullt i partisë së miliarderëve me kryetar fukara”, tha Topalli nga selia e Kuvendit. Ajo shtoi se pasuesi i Seserit do të zgjidhet sipas Kushtetutës së vendit.  

“Aktualisht Parlamenti, Këshilli i Rregullores, KQZ-ja, ndodhen përpara një situate që duhet sqaruar në modalitetet e saj, pra se si duhet të realizohet; dhe jo ne thelb, pasi askush, (përveç zotit Rama) nuk ka vënë në pikëpyetje faktin që në poltronin e zonjës Seseri në parlament, do të ulet një “Seser” tjetër, po ashtu socialist. Problemi është që “Seser” apo jo, zotëria që ka radhën për të hyrë në Kuvend, duhet të hyjë me dinjitetin dhe respektin ndaj Kushtetutës dhe ligjit, mbi të cilën jemi betuar të gjithë ne. Nuk mund të hyjë as nga penxherja, e as nga dera e pasme, e në asnjë mënyrë tjetër që mund të shpikë “mosmarrëveshja” mes zotit Rama dhe udhëheqësve socialistë në Kuvend”, tha Topalli.

Sipas saj, në mbledhjen e Këshillit te Rregullores, (prej 10 anëtarëve, prej te cilëve 5 janë të opozitës), përfaqësuesit e PS ndërruan mendje disa herë në interpretimin e çështjes. Topalli shtoi se Z. Rama duhet t’i thotë shqiptarëve se në cilin nen të Kushtetutës, Rregullores apo Kodit Zgjedhor, autorizohet Kryetarja e Kuvendit për të dhënë apo për të hequr mandatin e deputetit. “Gjej rastin që publikisht të ripërsëris për të disatën herë në tri vjet, kërkesën për zotin Rama dhe partinë qe ai drejton, që të sjellin kandidaturat për vendet vakante qe i përkasin opozitës në: “Bordin e TVSH” dhe “Këshillin Kombëtar të Radio Televizioneve”, vende këto të lëna bosh qe prej tri vitesh, njësoj si poltrona e zonjës Seseri ne Parlament”,vijoi.

Por nuk ka munguar edhe ironia ndaj Presidentit të Republikës, ku sipas Topallit, problemi i emërimeve në gjykatat e rëndësishme të vendit qëndron tek “sirtarët e Presidencës”. “Por aty unë nuk e ndihmoj dot, nëse kërkon, do të gjeje me siguri një votues të tij të devotshëm që do ta sqarojë. Pastaj, nëse siç tha dje kryetari i PS, e gjithë kjo histori “burrash” që ndërrojnë fjalën çdo sekondë, nuk ka për objektiv bllokimin e reformave dhe prishjen e konsensusit, atëherë edhe modalitetet ligjore e Kushtetuese sigurisht që gjenden brenda kornizës se ligjeve të shtetit ligjor. Deri tani në fakt, zoti Rama ka kërkuar si gjithnjë një “gjethe fiku”. “Gjethe fiku”: o në “kuti”, o në “çadër”, o në “sirtar”. Problemi është se edhe po e gjeti, ajo nuk e mbulon, veçse të turpëron”, përfundoi.

PS: Topalli shpërdoron rolin kushtetuese

Pas konferencës së zonjës Topalli, reagoi Partia Socialiste, duke i vlerësuar të turpshme deklaratat. “Jozefina Topalli sapo dha një tjetër shembull të keq të shpërdorimit të rolit kushtetues të kryetares së Kuvendit, duke u shfaqur në rolin ç’edukues të një gruaje që politikën e përdor jo vetëm për të përgojuar burrat, por edhe gratë. Është i turpshëm komenti i saj për zonjën Seseri , të turpshme komentet për kryetarin e opozitës dhe për vetë presidentin e Republikës”, tha deputetja Olta Xhaçka.

/S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-10 14:23
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›