E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Diskutime me të gjithë partitë për sistemin zgjedhor

Duke iu përgjigjur shqetësimit të partive aleate të PS-së në lidhje me sistemin zgjedhor, Rama u shpreh se propozonte që të bëheshin konsultime të gjera publike për këtë çështje.

Sipas tij, reforma duhet të bëhet në atë mënyrë saqë të mos paraqesë probleme në të ardhmen. “Jemi për një reformë zgjedhore që të bazohet në të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si dhe të adresohen ato probleme dhe manipulime për të mos lejuar më që votat e qytetarëve të mos grabiten. Ne jemi për ta prekur dhe përmirësuar sistemin aktual zgjedhor në dakordësi me të gjitha forcat politike, duke adresuar edhe shqetësimin e partive të vogla”, theksoi Rama.

Sipas tij, ballafaqimi i argumenteve për mundësitë e ndryshimit apo përmirësimit të sistemit zgjedhor, nuk mund të jetë shkak për të bllokuar këtë proces. “Raporti i OSBE/ODIHR-it është udhërrëfyesi më i qartë për të arritur në një reformim të kodit zgjedhor që të garantojë që çdo votë të numërohet ndershmërisht. Ne jemi të gatshëm të marrim një nisëm publike me të gjithë forcat e tjera publike. Duhet të zgjidhet ashtu siç duhet ky problem që lidhet me të gjithë partitë politike. Për ne është themelore që të adresohet si interes publik ky shqetësim”, vijoi ai.

Mandati i deputetit

Duke folur për problemin e mandatit të një deputeti, Rama akuzoi Berishën dhe kryetaren e Kuvendit se po e mbajnë peng atë për qëllime të pastra politike. Ai shton se në asnjë rast nuk po shkelet Kushtetuta e vendit, teksa çështja mund të zgjidhet shumë lehtë.

“Mandati i deputetit, sot e gjithë ditën mbahet peng nga qeveria në funksion interesash që nuk kanë të bëjnë fare me Kushtetutën dhe me ligjin, por vetëm me pushtetin. Të gjithë e dëgjuan edhe dje argumentimin në thonjëza që i bëri kryeministri mbajtjes peng të mandatit. Është për të përsëritur që mandati që mbahet peng në sirtarin e Jozefinës është i disati që mbahen në atë sirtar. Mbahen peng mandatet në Gjykatën Kushtetuese dhe në atë të Gjykatës së Lartë. Ashtu sikurse mbahen peng mandatet për anëtarët e Televizionit Publik Shqiptar dhe KKRRT-së”, u shpreh Rama,

Ai shton se KQZ-ja ka dhënë një mandat pasi është dhënë një dorëheqje. “Personi i është dhënë ky mandat e ka refuzuar mandatin sepse është kryetar i Bashkisë dhe i takon Kuvendit të njoftojë KQZ-në për këtë refuzim dhe i kërkon të vazhdojë me listën e deputetëve të radhës, për deputetin tjetër i cili duhet të mandatohet në vendin e mbetur bosh”, tha.

“Bomba” në sektorin energjetik!

Rama u ndal gjatë edhe tek problemet në sektorin energjetik në vend, duke e konsideruar si një bombë për stabilitetin e ekonomisë. Ai shton se të gjitha problemet ekonomike të kompanisë po i paguajnë qytetarët me mbifaturime.

“Mbifaturimi tashmë është një operacion i përditshëm dhe janë me mijëra qytetarët që i janë drejtuar gjykatave në çdo qytetet. Nga ana tjetër, nga mospagesat e institucioneve, bëjnë që kompania të vihet në vështirësi. KESH-i duke mos u paguar nga kompania e Shpërndarjes, ka shkuar në krizë dhe nga ana tjetër ka një borxh të jashtëzakonshëm nga bankat e nivelit të dytë. Gjithashtu, ka një mospagesë nga koncensionarët e HEC-ve të vegjël që nga muaji maj 2011. Sot kemi një pamje gjithnjë e më të qartë të pasojave”, tha Rama. Për sa i përket privatizimit të katër hidrocentraleve në vend, kreu socialist, duke shprehu kundërshtinë për këtë vendim të qeverisë, tha se kjo mënyrë nuk mund të jetë zgjidhje për të rritur të ardhurat në arkën e shtetit.

Duke folur për rezervat e naftës, Rama tha se shumica e naftës së nxjerrë në vend, eksportohet me një çmim shumë të lirë, ndërsa nga jashtë importohen nënproduktet e arit të zi me një çmim shumë të lartë. “Politika energjetike e qeverisë ka qenë që në zanafillë e gabuar dhe ajo është shoqëruar me çmime të larta të gazit të lëngshëm, që ka arritur në nivel ekstrem: 200 lekë për kilogram. Njësia më e thjeshtë matëse është barra e rritur mbi konsumatorin në përgjithësi”, nënvizoi ai.

“Ajo që po ndodh sot me sektorin e energjisë dhe në tërësi me burimet natyrore të vendit, përbën një bombë kërcënuese në stabilitetin e ekonomisë së vendit. Programi ynë për energjinë i adreson me shumë përgjegjësi të gjithë ato probleme që sot janë të ndërthurura që për t’u zgjidhur kërkojnë një ndryshim radikal politik mbi sektorin e energjisë dhe pasurive natyrore të vendit. Dallimi ynë është i qartë me ata që sot e qeverisin sektorin e energjisë e administrojnë duke sjellë rrënimin e mëtejshëm. Sot jemi të vetëdijshëm se qoftë në sektorin e energjisë, qoftë në burimet natyrore nuk diktojnë interesat kombëtare, por vetëm interesi i përfitimit të menjëhershëm i oborrit të pushtetit”, u shpreh më tej./Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2012-04-10 12:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›