E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përmbush tre kërkesa të biznesmenëve

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, mblodhi sot Task Force-n Rregullatore, për të rishqyrtuar hapat e rinj që pritet të vihen në zbatim për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë, në të 11 treguesit e saj.

“Në kërkesat e tyre kërkohet një thjeshtim i burokracive, rritje e mëtejshme të transparencës së procedurave. Mendime pro e kundër u dhanë lidhur me çmimet e referencës, si dhe pati mendime për sa i përket përmirësimit të mëtejshëm të sistemit fiskal, evitimit të parapagimit në rastet më të mundshme, heqjen e TVSh-së për makineritë, eliminimi i çdo lloj barriere dhe reference në tregtinë me Kosovën, thjeshtimin  procedurave për mbylljen e biznesit dhe një seri mendimesh të tjera, të cilat i gjykoj të dobishme”, tha Berisha, duke parashtruar kërkesat e biznesmenëve.

Kryeministri vlerësoi të drejtë, gjithashtu, propozimin e dalë nga tryeza me biznesin për funksionimin e përbashkët të Këshillit të Biznesit dhe Këshillit të Punës, si Këshilli Kombëtar i Biznesit dhe Çështjeve Sociale.

Ndër vendimet e rëndësishme në lidhje me thellimin e reformave dhe përmirësimin e klimës së biznesit, Task Force konsideroi sugjerimet dhe kërkesat e bëra nga biznesi, në takimin e gjerë që ky i fundit pati me Kryeministrin, një javë më parë. Ndër vendimet kryesore të kësaj Task Force janë: Heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importit; Krijimi i një Këshilli të vetëm Kombëtar të Biznesit dhe Punës që zëvendëson Këshillin Kombëtar të Biznesit dhe Këshillin Kombëtar të Punës; si dhe u vendos që të publikohen, krahas informacionin mbi garuesit, ofertat etj., edhe lista e kompanive që kanë marrë pjesë në tender dhe që kanë fituar, çdo gjashtë muaj.

Gjithashtu, Komisioni i shqyrtimit të ankesave të publikojë në web edhe mendimin e pakicës në marrjen e vendimit. Në përfundim të takimit, Kryeministri theksoi se kjo Task Force përfaqëson një përpjekje të re, për të krijuar një klimë më të mirë biznesi, sepse ekonomia shqiptare ka një dinamizëm që duhet përshtatur me ekonominë globale. Burokracia është armiku i këtij zhvillimi, prandaj duhet luftuar në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që tentakulat e saj të mos pengojnë biznesin. Qeveria, tha Kryeministri, me vendosmëri do të vazhdojë këtë punë dhe do të mbajë lart frymën e shërbimit ndaj biznesit me cilësi, transparencë dhe thjeshtësi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-10 14:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›