E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia, njohje në heshtje e Kosovës?

Qëndrimi zyrtar parimor "unik" i Serbisë që të mos njohë asnjë institucion të shtetit të ri të Kosovës dhe të mos hyjë në asnjë kontakt me to, sikurse duket, për arsye objektive, të cilave ajo nuk ka se çfarë t‘u bëjë, pasi e tillë është kjo botë e ndërvarur, ka nisur të marrë të çara, ose më mirë shkon të thuhet, ka filluar të shqepet. Përfaqësues të saj zyrtarë, jo vetëm në terren, në Kosovë, por edhe në qendër në Beograd, janë të detyruar të ndërmarrin, lidhur me Kosovën, akte të tilla që ua kanë ngritur qimet e kokës përpjetë qarqeve nacionaliste serbe që kanë nisur të ulërijnë dhe të çirren me patetizëm për "tradhti kombëtare".

Banorët e fshatrave, me popullsi kryesisht serbe, në pjesën qendrore të Kosovës kanë nisur të nënshkruajnë kontrata me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për pagesën e faturave të energjisë elektrike, njoftonin këto ditë mediat serbe të Beogradit, sipas të cilëve funksionarët serbë Goran Arsiç, kryetar i Qarkut të Kosovës dhe Jugosllav Popoviç, koordinator për Prishtinën, u kanë kërkuar serbëve që t‘i paguajnë KEK-ut faturat për energjinë elektrike që kanë harxhuar dhe harxhojnë, duke lënë të kuptohet se për këtë kanë edhe miratimin e Beogradit zyrtar dhe duke ngjallur, kështu, befasi dhe konfuzion midis serbëve të Kosovës, të cilëve, deri para pak kohësh, ai (Beogradi) u kërkonte me ngulm që të mos hynin në asnjë lloj kontakti me asnjë institucion të "të ashtuquajturit" shtet të pavarur të Kosovës.

"Na mblodhi kryetari i Qarkut të Kosovës, Goran Arsiç, i cili na tha se është arritur marrëveshje me KEK-un mbi nënshkrimin e kontratave për pagesën e energjisë elektrike, por ende nuk dimë se kush do t‘i nënshkruajë këto kontrata, përfaqësuesit e fshatrave tona apo ata të Kancelarisë për Bashkësitë. Na u tha se ky është rekomandim i Beogradit, por askush nuk di asgjë të saktë", thotë Dejan Jevtiç, përfaqësues i fshatit me popullsi serbe, Çagllavica, në Kosovën Qendrore. Jugosllav Popoviç, "koordinator për Komunën e Prishtinës", i caktuar në këtë post muajin e kaluar nga qeveria në Beograd, nga ana e tij deklaron i hutuar se liderët e fshatrave me popullsi serbe në këtë pjesë të Kosovës nuk e njohin dhe nuk e pyesin atë, si dhe se ata bisedojnë vetë, në mënyrë të pavarur, me KEK-un. Kurse lidhur me pyetjen që atij i drejtoi gazeta e përditshme serbe "Kurir" sesi mendon ai, nëse serbët duhet t‘i nënshkruajnë kontratat me KEK-un dhe nëse kjo mos do të thoshte njohje në heshtje të pavarësisë së Kosovës, z. Popoviç vuri në dukje se "unë, personalisht, do të dëshiroja që të jemi unikë. Për energjinë elektrike duhet të paguhet. Duam apo duam, duhet të paguajmë, sepse përndryshe nuk do të kemi energji elektrike".

Por, një nga menaxherët e lartë të Korporatës Energjetike të Kosovës, Raul Sakashvili, ishte shumë më i qartë, kur deklaroi në një mbledhje të zhvilluar këto ditë me përfaqësinë lokale serbe në Graçanicë se "për gjithçka ishte rënë dakord, në nivelin me të lartë, në Ministrinë për Kosovën dhe Metohinë në Beograd", duke e shtuar edhe më shumë hutimin dhe konfuzionin midis serbëve, të cilëve tjetër gjë u thuhet me gojë, kurse në praktikë veprohet ndryshe. Banorët e një prej vendbanimeve të mëdha serbe në Kosovë, Graçanicës, dhe të periferisë së saj ngrenë supet dhe pyesin se çfarë po ndodh kështu, duke vënë në dukje se gjatë 10 viteve të fundit pagesa e energjisë elektrike në Kosovë ka qenë çështje politike dhe se askush nuk duhej të guxonte të përzihej në këtë çështje, veç Beogradit, kurse tani kjo qenka bërë një çështje, me të cilën ata duhet të merren vetë, duke u ndodhur në një gjendje mëdyshjeje dhe dyzimi se mos pagesa nga ana e tyre për energjinë elektrike KEK-ut do të thotë njohje të pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Me të vërtetë, dilemë shekspiriane!

Ministri i së ashtuquajturës "Ministri për Kosovën dhe Metohinë" në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, nxitoi menjëherë të deklaronte i shqetësuar nga Beogradi se nënshkrimi i marrëveshjes me KEK-un nuk ka përse të konsiderohet si njohje e pavarësisë e Kosovës, sikurse duket, nga frika se mos edhe ai etiketohej nga qarqet ultranacionaliste "tradhtar i interesave kombëtare", sikurse nuk i shpëtoi këtij etiketimi dikush tjetër.

Ministri i Ekonomisë së Serbisë, Mlladen Dinkiç, është bërë këto ditë objekt i sulmeve nga më të ashpra si "tradhtar i çështjes kombëtare" lidhur me Kosovën, pas deklaratës që bëri në prag të pranimit të Kosovës si anëtare me të drejta të plota në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) se kjo do të ishte diçka e mirë, sepse kështu Serbia nuk do të paguante më borxhet e Kosovës, një arsyetim, në fakt, racional, por me kë flet në Beograd. "Ministri i Ekonomisë dhe i Zhvillimit Rajonal të Serbisë, Mlladen Dinkiç, është funksionari i parë i lartë serb që njeh Kosovën e pavarur!", vinte në dukje e acaruar një nga gazetat nacionaliste serbe "Kurir", duke vazhduar më tej se, "ndryshe nga politika zyrtare e qeverisë, nënkryetar i së cilës është Dinkiçi dhe e cila edhe, në bazë të Kushtetutës, e ka për detyrë të mbrojë tërësinë tokësore, kryetari i G-17-ës (Dinkiç) merr guximin të thotë se Serbia do të përfitojë nga anëtarësimi i Kosovës në FMN". Pak ditë më parë, ministri serb i Ekonomisë dhe i Zhvillimit Rajonal të Serbisë, Mlladen Dinkiç, vuri në dukje, midis të tjerave, se Kosovës tani (pas pranimit në FMN) do t‘i duhet t‘i paguajë vetë borxhet, kurse Serbisë, pas pranimit të saj (Kosovës) në FMN, iu hoq një barrë e rëndë një miliard dollarëshe, duke kujtuar, në të njëjtën kohë, se Serbia ka 10 vjet që nuk merr asnjë qindarka taksë nga Kosova.

Dhe sado që ai u përpoq ta zbuste deklaratën e tij "dramatike" se, duke u pranuar në FMN, Kosova nuk fitoi shtetësinë, pasi ajo fitohet vetëm duke u pranuar në OKB, shigjetat therrëse kundër Dinkiçit vazhdojnë të vërshojnë nga katër anët. "Mirë që nuk tha se Serbia, pas pranimit të Kosovës në FMN, do të ketë leverdi të madhe. Sikurse duket, pak nga pak, pushteti me Dinkiçin dhe Tadiçin në krye po e njohin pavarësinë e Kosovës që u pa edhe me lejimin e ardhjes së misionit të EULEKS-it në Kosovë që është pjesë përbërëse e planit të Ahtisarit. Për një deklaratë të tillë ai (Dinkiçi) duhet të përgjigjet penalisht, pasi ka shkelur Kushtetutën. Shpresoj se do dalë ndonjë që do ta shtrojë këtë çështje para Gjykatës Kushtetuese", deklaroi lideri i njërës prej partive nacionaliste serbe "Nova Srbija", Velimir Iliç. Kurse nënkryetari i partisë ultranacionaliste SRS (Srbska Radikalna Stranka) shkoi edhe më tej, kur lëshoi kërcënimin e hapur se, "nëse Mlladen Dinkiçi nuk do të ishte ministër, ai, me siguri, tani do të ishte duke vuajtur ndonjë afat burgimi, për shkak të akteve kriminale, përfshi këto deklarata të hapura antishtetërore".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›