E Shtunë, 31 Tetor 2026

GJYKATA TE NXJERR KATER LEKURE

Në këtë shkrim nuk është fjala për t‘i bërë ndonjë analizë bazës apo parimeve të Kodit Penal. Titulli i këtij shkrimi është intrigues dhe, sigurisht, që të kujton edhe postulatin ose fjalën e urtë të popullit që "nuk nxirren dy lëkurë nga një berr", por ja që gjykata nxjerr katër. Nëpërmjet analizës së disa neneve do të përpiqem t‘i paraqes lexuesit se kemi një Kod Penal të ashpër, e që në pjesën e dënimit ka disa nene në kundërshtim me Kushtetutën. Dhe në këtë pjesë, ky Kod është më i ashpër në krahasim me atë të mbretërisë dhe kohës së monizmit.

Në pjesën që ka të bëjë me dënimin e njerëzve, si politika, ashtu edhe Parlamenti janë kontradiktorë. U shtuan aq shumë nenet dhe paragrafët e Kodit Penal, saqë në krahasim me Kodin Penal që ishte në fuqi, rritja e krimit është e madhe. Kodi Penal i vitit 1977 kishte 247 nene dhe të gjitha bashkë kishin dënimin minimal 315 vjet burg, kurse dënimi maksimal arrinte në 1040 vjet burg. Kodi i miratuar në vitin 1995 dhe që sot është në fuqi ka 485 nene, dënimi minimal është 1592 vjet burg dhe maksimali 3699 vjet burg. Nenet janë dyfishuar, kurse dënimet janë trefishuar. Dënimet dhe kështu janë të ashpra, por të paktën një personi, për një vepër në një gjyq duhet t‘i jepet vetëm një dënim dhe jo katër siç bëhet realisht.

Në Kodin Penal ka 51 nene dhe paragrafë për 51 figura krimi dhe ndaj atyre që deklarohen fajtorë për një vepër, në kundërshtim me Kushtetutën, jepen detyrimisht nga dy deri në katër dënime kryesore, dy me gjobë dhe dy me burg. Këto dënime, në vend që të pastrojnë mjedisin e të parandalojnë kriminalitetin, atë që dënohet e shkatërrojnë, jo vetëm fajtorin, por edhe familjen e tij. Gjobat që kanë këto nene arrijnë në minimumin 107 milionë lekë dhe maksimumin 247 milionë. Dënimi mesatar minimal me gjobë është 2.098.039 lekë, kurse ai mesatar maksimal është 4.858.626 lekë. Në bazë të nenit 34/8 të Kodit Penal, kur gjoba nuk paguhet në afat, kthehet me 5000 lekë një ditë burgimi. Sipas këtyre llogarive, vitet minimale të dënimit me burg për këto 51 vepra janë 59 vite, kurse maksimalja është 135 vjet. Minimumi mesatar i burgimit në këto vepra është një vit, kurse mesatarja e maksimumit është tre vjet burg. Këto mesatare janë për çdo të pandehur, por, kur në një çështje ka më shumë, ato përsëriten.

Neni 109/b i Kodit Penal për shtrëngimin me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë dhe kur kjo vepër ka sjellë vdekje, dënimi është vetëm burgim i përjetshëm, por atij i është shtuar edhe dënimi me gjobë nga 5-10 milionë lekë. Jo në këtë rast, por edhe në të tjerat ku dënimet me burg janë shumë të ashpra, dënimi i dytë me gjobë është i panevojshëm dhe bën më shumë keq se sa mirë dhe shumë herë as nuk ka si të zbatohet.

Mbase këto shifra e mërzisin pak lexuesin. Megjithatë, qëllimi është që ata të krijojnë bindjen se është fjala për veprimtari konkrete dhe të imponuar të gjyqësorit, që edhe kur nuk është shkaku, të zbatohet një politikë dënimi e ashpër. Me këto dua t‘i kujtoj ligjvënësit se, përderisa popullsia është pakësuar, kryesisht nga emigracioni dhe kriminaliteti është shtuar, dënimet e ashpra nuk e kanë luajtur qëllimin për të pasur më pak krime dhe se nuk e besoj se duhet përdorur më gjatë si një praktikë me këto synime.

Shteti duhet të tregohet më i butë dhe i sjellshëm me qytetarët e tij, e me siguri, kriminaliteti do ulet dhe do krijohen raporte të besimit reciprok ndërmjet shtetit dhe atyre që vuajnë dënime me burgim. Është shumë më mirë dhe do ketë akoma më shumë ulje të kriminalitetit dhe konfliktualitetit sikur jeta dhe regjimi në burgje të bëhet një periudhë pendese e rehabilitimi për të dënuarit. Po të jetë se ndaj këtyre njerëzve janë përdorur dënime të paarsyeshme që, vetë ata dhe opinioni i vlerëson të ashpra, periudha e qëndrimit në burg, sikur edhe në kushte shumë të mira sjell efekte të kundërta dhe, në vend që këta njerëz të pendohen, kuptohet që marrëdhëniet e tyre me shtetin do keqësohen dhe mund të çojnë në konflikte. Sipas nenit 34 të Kushtetutës, askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë. Këtë formulim të nenit 34, Parlamenti nuk e ka interpretuar drejt as nga ana gjuhësore dhe as logjike, përderisa ka vënë në Kodin Penal disa nene me dy dënime kryesore: gjobë dhe burgim. Shprehja në nenin e mësipërm se, askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale, është njësoj me shprehjen se asnjë njeriu nuk mund t‘i jepet më shumë se një dënim kryesor për të njëjtën vepër penale, d.m.th. është njësoj kur për të njëjtën vepër dënohesh më shumë se një herë dhe kur për të njëjtën vepër jepen dy dënime kryesore njëkohësisht. Në fund të fundit, përcaktues është dënimi si numër.

Gjoba është dënim penal kryesor. Mënyrën e pagimit të saj e vendos që në fillim gjykata. Eshtë detyrues dhe nuk lidhet me mundësinë ekonomike të të gjykuarit. Kur nuk paguhet në afatin e caktuar, në bazë të nenit 34/8 të Kodit Penal, po gjykata, me një gjykim të dytë, vendos që gjoba të kthehet në burg, duke e llogaritur me 5000 lekë për një ditë burg. Kështu që, sipas paragrafit më pas të këtij neni, i pandehuri mund të vuajë edhe deri 3 vjet të tjera burg për një krim dhe kur ka kryer kundërvajtje penale, burgut të parë i shtohet edhe një vit për shkak të gjobës. Pra, për një vepër, në të njëjtin gjyq, jepen fillimisht dënime: një me burg dhe një me gjobë, e pas zëvendësimit për shkak të mospagimit të gjobës kthehet në burg dhe nga një të bëhen dy dënime me burgim.

Por ka edhe disa dispozita, si p.sh. nenet 114/b, 128/b etj., të Kodit Penal që parashikojnë nga katër dënime kryesore, si burgim deri 20 vjet dhe gjobë deri 10 milionë lekë dhe prapë, d.m.th. për herë të katërt, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me një të katërtën e dënimit të dhënë. Kur konvertohet gjoba në burgim, një të pandehuri për një vepër, në të njëjtin gjykim, i jepen 4 dënime me burgim, p.sh. sipas n. 128/b/2 të Kodit Penal, dënimi është nga 10-20 vjet burg dhe nga 6 deri në 10 milionë lekë gjobë, po t‘u shtosh këtyre dënimeve edhe nga një e katërta e dënimit me burg dhe gjobë të kthyer në burgim të pandehurit i takon të dënohet me 25 vjet burg ose 5 vjet më shumë, për shkak të gjobës që parashikon neni.

Neni 34/5 i Kodit Penal ka formulim të tillë për personat që kryejnë krime për motive të fitimit të pasurive ose të sigurimit të çdo lloj përfitimi tjetër material. Nëse dispozita penale parashikon vetëm dënim me burgim, gjykata mund të japë edhe dënim me gjobë nga 100 mijë deri në 5 milionë lekë. Përveç si dispozitë në parim antikushtetues, i lejon gjykatës mundësi të pakufizuara dhe sa herë që ajo vlerëson se ka interes për përfitime materiale ta përdorë atë, duke i dhënë gjykatës juridiksion interpretimi sa të zëvendësojë Parlamentin, duke u kthyer në ligjvënës. Dispozita e pjesës së përgjithshme të Kodit Penal nuk ka kuptimin që t‘i japë gjyqtarit të drejta deri atje sa ai ta vlerësojë vetë se me cilën dispozitë të zbatojë dhe të aplikojë një apo më shumë dënime. Një dispozitë të drejton në një dispozitë tjetër, e cila i ka të përcaktuara elementet aq më shumë dënimin.

Neni 34/5 i Kodit Penal i lë gjykatës të drejtën të zgjedhë në rast se do të përdorë dënimin e dytë kryesor. Dënimet kryesore nuk janë e drejtë e gjykatës, por e ligjvënësit, ndërsa gjykatësit nuk i lihet fakulteti dhe mundësia, por detyrimi për zbatim të ligjit, kur ai nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Sikur të mblidhen të gjitha ato vepra që kanë dy ose më shumë dënime kryesore me ato që mund të zbatohen si dënim i dytë nga gjykata, sipas nenit 34/5 të Kodit Penal, veprat me burgim dhe gjobë e që janë antikushtetuese, zënë rreth një të tretën e veprave të Kodit Penal në tërësi.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është miratuar me referendumin e 22 Nëntorit 1998, bazuar në dekretin Nr. 2241, datë 21 tetor 1998 të Presidentit të Republikës dhe ajo mban direkt vullnetin e sovranit. Të vendosësh në Kodin Penal nene me dënime në kundërshtim me Kushtetutën, tregon se deputetët, edhe sikur të kenë votuar unanimisht, kanë marrë ato të drejta që sovrani (elektorati) nuk ua ka dhënë.

Kodi Penal bazohet në Kushtetutën e Shqipërisë, ka në themel barazinë përpara ligjit, drejtësinë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe humanizmin (nenet 1/a dhe 1/c të Kodit Penal). Parlamenti, që ka miratuar nenet e Kodit Penal me dy deri në katër dënime kryesore, duke numëruar kartonët e kuq dhe jeshil, pasi ka bërë veprimin e zakonshëm aritmetik, i është kundërvënë Kushtetutës. Shtetin, në vend që ta bënte më social dhe humanitar, e ka bërë më të ashpër, duke e futur në raporte konfliktualiteti dhe pakënaqësie me shtetasit e tij. E në këtë pjesë, sjellja e shtetit me njerëzit është më e ashpër se sa e zbutësve me kafshët.

Gjykatat gjykojnë dhe dënojnë çdo ditë njerëz, prandaj sa më gjatë të zbatohen këto dispozita, aq më i madh është dëmi që i vjen shoqërisë në tërësi. Gjykatat, për të qenë të pavarura dhe profesionale, pa pritur që këto nene të ndryshojnë ose të shfuqizohen, duhet të përdorin të drejtën që u japin nenet 4 dhe 34 të Kushtetutës. Për ato raste që dispozita e ka ose rekomandon dënim të dytë kryesor, gjykatat të japin vetëm njërin prej tyre, sepse ky është urdhër i Kushtetutës, si ligji më i lartë në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›