E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia, pengesë edhe në dogana

"Pas shpalljes së pavarësisë dhe kalimit të përgjegjësive nga doganat e UNMIK-ut në ato të Kosovës, hyrjes në fuqi të dokumentacionit të ri dhe vulave të reja, dogana serbe ka filluar ta refuzojë bashkëpunimin", thotë Naim Huruglica, drejtor i Doganave të Kosovës, në një intervistë për radion "Europa e Lirë".

Pas nënshkrimit të protokollit midis EULEX-it dhe Serbisë për bashkëpunimin policor është përmendur edhe protokolli tjetër për doganat. Ǒdo të nënkuptonte ky protokoll për doganat e Kosovës?

Nuk kam dijeni për një gjë të tillë. Mua nuk më është dhënë, ta zëmë, një kopje ose një draft i një dokumenti të protokollit mbi doganat. E gjithë ajo çfarë kam dëgjuar është përmes mediave dhe jo diçka zyrtare.

Në fakt, cili është bashkëpunimi i doganave të Kosovës me ato të Serbisë?

Për sa kohë që doganat ishin nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut, ka pasur një bashkëpunim, d.m.th Kosova dhe Serbia ishin pjesë përbërëse e CEFTA-s. Bënim shkëmbimin e të dhënave, p.sh., të origjinës, nëse një mall eksportohej në Kosovë ose anasjelltas.

Pas shpalljes së pavarësisë, pas kalimit të përgjegjësive nga doganat e UNMIK-ut në doganat e Kosovës dhe hyrjes në fuqi të dokumentacionit të ri dhe vulave të reja, dogana serbe ka filluar ta refuzojë bashkëpunimin. Që nga ajo ditë, nuk kemi një bashkëpunim të tillë. Ka pengesa vërtet serioze, në kuptimin që ndalohet në tërësi eksporti kosovar i shoqëruar me dokumente kosovare, por edhe tranzitimi i mallrave. Që prej asaj dite, bashkëpunimi nuk ekziston. Takohemi kohë pas kohe me kolegët tanë serbë në takime ndërkombëtare, d.m.th. jashtë Kosovës dhe jashtë Serbisë kur organizohen nën ‘ombrellën‘ e Komisionit Europian, por nuk ka bashkëpunim bilateral.

Arsyeja kryesore, së paku ajo që na thuhet nga kolegët serbë gjatë atyre takimeve, është politike. Ata pengohen nga qeveria serbe që të bashkëpunojnë me një institucion të Republikës së Kosovës.

Veriu, për ju dhe për vetë institucionin tuaj vazhdon të mbetet një sfidë. Si e shikoni zgjidhjen e problemeve të krijuara atje?

Nga data 19 shkurt 2008, kur u shkatërruan ato dy pika, në realitet ne humbëm kontrollin direkt në kufi. Gjithçka që bëmë ishte shtimi i aktiviteteve të njësive tona lëvizëse antikontrabandë, me qëllim që, së paku, ta parandalojmë atë futjen e mallrave ilegale, të mos humbasë kontrolli dhe të mos prishet në përgjithësi stabiliteti ekonomik i vendit.

Futja e mallrave ilegale dëmton tregtinë legjitime, dëmton taksat, dëmton konkurrencën, dhe si të tillë, kemi arritur deri në një masë ta zvogëlojmë atë. Hap pozitiv ka qenë edhe vendosja e stafit të EULEX-it, në janar të këtij viti. Bashkërisht kemi rindërtuar infrastrukturën që u shkatërrua atje. Tani kemi një sistem në vend, d.m.th. i kemi kthyer të gjitha kushtet, po i quajmë, minimale të punës, e tani ka mbetur ajo finalja: vendosja e stafit doganor kosovar në ato dy pika, që edhe më parë nuk janë përdorur për zhdoganime, ato kanë qenë pika hyrëse.

Gjithmonë zhdoganimet janë kryer në terminalin doganor në Mitrovicë, sikurse edhe sot. Në dy pika është përdorur një procedurë, që e quajmë ‘të shkurtuar‘ për rastet kur banorët e atyre zonave, për shkak të largësisë së madhe nga kufiri deri në terminal, u është lejuar të zhdoganojnë sasi të vogla malli. Në shumicën e rasteve, malli ka pasur përfundimin final terminalin në Mitrovicë. Edhe pas vendosjes së stafit të EULEX-it, pjesa dërrmuese e mallrave evidentohen në këto dy pika.

Kontrabanda, në përgjithësi është një problem, që edhe ju e keni përmendur si të vazhdueshëm në të gjitha pikat kufitare. Cilat janë vështirësitë më të mëdha për ju në këtë drejtim?

Në realitet, tani kemi shumë më pak ikje direkte, sidomos kur flasim për pikat e tjera kufitare. Shmangia e taksave që na ndodh në praktikë, ndodh më shpesh përmes mosdeklarimit të saktë të vlerave ose të origjinës. E gjithë kjo ndodh sepse ata kanë qenë në dijeni që nuk kemi marrëveshje me shtetet eksportuese për të bërë një verifikim të tillë. Tani, ne jemi në negociata me 18 shtete, partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, dhe me doganat e atyre shteteve do të nënshkruajmë marrëveshje për bashkëpunim, përmes të cilave do t‘i shkëmbejmë të dhënat. Edhe qysh tani, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, edhe pse nuk kemi marrëveshje me një numër të këtyre shteteve, pa hezitim ato u përgjigjen kërkesave që u dërgojmë për verifikim të të dhënave.

Elementi i dytë jo pak i rëndësishëm është vetëdijësimi i biznesit kosovar. Gjithnjë e më tepër po e përsosim punën tonë, kemi pajisje më të mira, burime njerëzore dhe materiale. Edhe në këtë aspekt kemi arritur të bëjmë një punë më të mirë e të luftojmë kontrabandën.

Kontrabanda, me përjashtim të Veriut, paraqitet kryesisht në rrugët malore, që ne i quajmë ‘kufiri i gjelbër‘; kemi zonën e Pejës me Malin e Zi, një terren jashtëzakonisht i vështirë malor, ku kontrabandistët përdorin kuajt dhe kafshë të tjera për të transportuar mall. Është shumë e vështirë të kontrollohet çdo cep i territorit, se në total Kosova ka një vijë të gjelbër kufitare mbi 700 kilometra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›