E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, me kufizime të ujit të pijshëm

Reshjet e pakta duket se nuk kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e situatës së kufizimeve për sa i takon furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet. Periferia e kryeqytetit më shumë se asnjëherë ka probleme me shpërndarjen e ujit të pijshëm.

Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve sqaron se nuk ka asnjë problem me shpërndarjen e ujit në Tiranë, madje orari i furnizimit është ai i përhershmi, tre herë në ditë në mëngjes, në drekë dhe në darkë. Sipas specialistëve të Ujësjellësit pavarësisht se kjo periudhë është problematike, pasi reshjet janë të pakta, temperaturat relativisht të larta për stinën e vjeshtës edhe konsumi për ujë të pijshëm është i madh.

Në zonat ku mund të ketë pasur probleme teknike, avari apo restaurime, kufizimet kanë qenë të pjesshme dhe të përkohshme, ndërsa në disa nga lagjet e kryeqytetit problemet me ujin e pijshëm janë bërë të përditshme. Në disa lagje uji mbërrin në çezmat e qytetarëve në rastin më të mirë vetëm një herë në ditë.

Ka ditë që uji mbërrin në çezmë një herë në 24 orë ose edhe pas dy ditësh. Ditë të tjera oraret e furnizimit janë të çrregullta, një herë në orët e para të mëngjesit, një herë në drekë me kohëzgjatje të shkurtër, një herë në çezmë ka vetëm një curril të hollë uji, me të cilin është e pamundur të mbushësh edhe kovën për të larë dyshemenë.

Kufizimet

Zonat më problematike me mungesën e ujit të pijshëm përgjatë orareve të parashikuara, janë: "Kinostudio", rruga "Qemal Stafa", rruga "Ali Baushi", "Kongresi i Manastirit", Rruga "Bardhyl", "Ali Demi", lagjet pranë tregut elektrik, Rruga e Elbasanit, në disa nga pallatet në Rrugën e Kavajës, zona e "Laprakës", si dhe një pjesë e Kombinatit. Ankesa dhe kërkesa për shpjegim se përse këto lagje janë pa ujë në shumicën e kohës, mbërrijnë çdo ditë në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve. Ndërkohë që në rastin më të mirë, në çezmat e qytetarëve që banojnë në këto zona vjen një herë në ditë, në "Kombinat" në orën 19:00, në zonën e rrugës "Bardhyl" në orën 4:00 të mëngjesit, si dhe në zonën e "Ali Demit" në orarin e drekës.

Depozitat

Familjet që kanë depozitat, edhe ato 1 mijë litra, nuk arrijnë të përballojnë dot problemet e mungesave. Të tjerat, të cilat nuk kanë vendosur depozita dhe presin ujin me orar, u duhet të mbushin të gjitha enët, kovat, shishet që kanë në shtëpi për të pastruar dhe për të gatuar, për të larë e shpëlarë me maksimumin e kursimit. Edhe pse Ujësjellësi sqaron se nuk ka asnjë kufizim të ujit të pijshëm dhe shpërndarja në rrjet është e rregullt në oraret e caktuara, tre herë në ditë, banorët e kryeqytetit temë kryesore në bisedat e ditës kanë: "erdhi uji, kur na erdhi uji, të shohim nëse vjen uji apo jo". Vakumet e tubacioneve gjatë kohës kur janë bosh, sjellin edhe probleme për pastërtinë e ujit të pijshëm. Po ashtu edhe depozitat e qytetarëve, të cilët në rastin më të mirë pastrohen vetëm një herë në vit.

Sakaq, lidhjet e paligjshme që janë shtrirë në pjesën periferike të kryeqytetit shpërdorojnë një sasi të madhe uji, e cila nuk arrin të grumbullohet në depot e ujit, edhe në këtë periudhë thatësire.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›