E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia shkel marrëveshjen për lëvizje të lirë

PRISHTINË- Qytetarët Kosovarë nuk do të përfitojnë nga marrëveshja që u arrit në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit, për lëvizjen e lirë në muajin nëntor.

Këshilltari i kryeministrit, Lirim Greiçevci, ka deklaruar se Prishtina zyrtare po zbaton marrëveshjen për qytetarët serbë, por kjo nuk vlen për kosovarët që duan të hyjnë në Serbi me dokumente shtetërore të Republikës së Kosovës, raporton Europa e Lirë.

“Pala serbe nuk i ka bërë përgatitjet e duhura për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe si rrjedhojë zbatimi i marrëveshjes është shtyrë për fajin e Serbisë dhe nuk mund të japë një datë se kur mund të fillojë kjo”,- theksoi Lirim Greiçevci, që është edhe kryesues i Grupit për Zbatimin e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes.

Këshilltari i kryeministrit denoncon faktin se Serbia ka shkelur marrëveshjen e arritur, e cila nënkuptonte që qytetarët e dy vendeve të lëviznin vetëm me letërnjoftime.

“Është shkelje, sepse po shkelet data një nëntor, dhe ne nuk kemi asnjë datë dhe indikacion nga pala serbe se kur do të mund ata të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve”,- thekson Greiçevci.

Ndërkohë, për lirinë e lëvizjes të diskutueshme mbesin edhe tabelat e regjistrimit të automjeteve. Për shkak të kundërshtimit të Serbisë, Prishtina ka vendosur që të lëshojë tabela për një periudhë kalimtare pesëvjeçare me akronimin KS për ata që duan të udhëtojnë në Serbi, pasi kjo e fundit nuk është dakort me akronimin RKS, ku shkronja R i referohet Republikës. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, është shtyrë afati deri në fund të nëntorit, që serbët të ndërrojnë tabelat, që ende i kanë me akronimet PR për rajonin e Prishtinës.

Ndërkohë të dy vendet nuk pranojnë edhe sigurimin e makinave nga kompanitë përkatëse të sigurimit, por këtë duhet ta bëjnë në kufi, sikur që është rasti tani me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Prishtina zyrtare bën me faj Serbinë, pasi sipas saj nuk ka marrë masat e duhura për zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›