E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi për vetëhelmimet, mbyllen 8 farmaci bujqësore

31/10/2011  Një çift vetëflijohet me fostoksinë, u vdiq djali. Në 10 muaj, 90 raste vetëhelmimi

LUSHNJE- Burrë e grua janë gjendur të vetëhelmuar dje me fostoksinë në Lushnjë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kemishtaj të rrethit të Lushnjës. Mësohet se ka qenë humbja e birit të vetëm, një vit më parë në një aksident rrugor, ajo që i ka bërë dy prindërit e mjerë të vuajnë shpesh nga probleme të depresionit. Majlinda Mehmeti dhe Pandeli Marku përkatësisht 43 dhe 45 vjeç, sipas policisë kanë pirë lëndën helmuese në kushtet e një depresioni të thellë.

Vetëhelmimi

Mësohet se ka qenë fillimisht gruaja 43-vjeçare ajo që ka pirë fostoksinën rreth orëve të para të ditës së djeshme në dhomën e saj të gjumit. I shoqi që ka qenë jashtë duke u marrë me punë të shtëpisë në fshat, ka hyrë brenda rreth 40 minuta pasi e kishte parë të shoqen për herë të fundit. Kur ai ka shkuar, mësohet ta ketë thirrur disa herë dhe më pas ka shkuar në dhomën e gjumit, aty ku e ka gjetur të shoqen të shtrirë përtokë në gjendje kome. Kaq është dashur që burri ta mendoj fundin tragjik të së shoqes dhe ka vendosur më pas në çast për të bërë të njëjtën gjë. Edhe ai ka konsumuar brenda pak minutave të njëjtin helm. Fqinjë dhe të afërm të familjes që kishin dëgjuar burrin të kërkon të shoqen duke folur nëpër dhoma, kanë shkuar tek i afërmi i tyre, por kanë gjetur të dy trupat të shtrirë në dhomën e tyre të gjumit. Menjëherë është lajmëruar policia e Lushnjës dhe ambulanca e spitalit. Dy trupat në gjendje kome janë nisur njëri pas tjetrit për në spitalin e Lushnjës, por gruaja ka humbur jetën pak përpara se të mbërrinte në spital, ndërkohë që burri është në gjendje kritike për jetën. Mjekët shprehen se ai vazhdon të jetë në gjendje kome.

Motivi

Të afërm të familjes Marku në fshatin Kemishtaj të Lushnjës kanë treguar për policinë se dje ka mbushur plotë një vit djali i tyre 19-vjeçar, i cili kishte gjetur vdekjen si shkak i një aksidenti. Sipas të afërmve, gruaja e kishte paralajmëruar diçka të tillë në ditën e varrimit të të birit, i cili ishte fëmija i vetëm i familjes.“Do të vij pranë shumë shpejt, o bir. Mami nuk jeton dot pa dritën e syve. Jeta ime varej vetëm nga jeta jote” , kështu i tha ajo Aleksit, të birit në ditën e varrimit të tij. Ne e menduam se e pati nga dhimbja e madhe, por ajo çdo ditë së bashku me Pandeliun qanin si fëmijë, nuk dilnin nga shtëpia. Nuk kryenin asnjë aktivitet dhe luteshin që zoti t’ua merrte jetën. Ata organizuan një përkujtimore me shumë përkujdesje një ditë më parë, por nuk e menduam se do të ishte e djeshmja dita e tyre e fundit e jetës”, ka treguar në detaje për policinë Lulëzim Marku një i afërm i kryefamiljarit Marku. Çifti nga Këmishtaj kishin 3 fëmijë, 2 vajza dhe një djalë të vetëm që u vdiq në aksident. Tashmë 2 motrat më të vogla, 17 dhe 15 vjeçe do të jenë në kujdesin e të afërmve, pasi familja Marku nuk u la trashëgim vajzave asgjë tjetër veç një shtëpie të thjeshtë fshati. Ata të dy ishin të papunë dhe merreshin vetë me punët e bujqësisë.

Paralajmërimi

Vetëm pak ditë më parë organi i Prokurorisë Fier së bashku dhe në bashkëpunim edhe me njësitë vendore dhe drejtoritë e higjienës dhe shëndetit publik janë vënë në gjurmim të shkelësve të ligjit. Kështu vetëm në tre ditët e fundit në rrethin e Fierit dhe në Mallakastër janë mbyllur 8 farmaci bujqësore, ndërsa janë ndëshkuar rreth 15 tregtarë ambulantë, të cilët e kryejnë aktivitetin në fshehtësi. Ky aksion ka ardhur në intensifikime si për shkak të shifrave alarmante që ka sot në qarkun e Fierit të rasteve me vetëhelmim. Prokurori i përgjithshëm i rrethit, Besnik Cani, u shpreh se në 5 të vdekur, 4 janë vetëhelmime me fostoksinë, por nuk mungojnë edhe rastet e vetëvarjes. “Fieri ka pasur këtë vit ulje të ndjeshme të krimit, por ka pasur shumë vetëhelmime, dhe kjo na ka detyruar që të kontrollojmë çdo subjekt apo individ që shet dhe tregton pesticide pa leje”, ka thënë pak përpara se të niste aksioni kryeprokurori Cani.

“Janë ushtruar me dhjetëra kontrolle, të cilat janë përqendruar në farmacitë bujqësore, si dhe në pikat e tregtimit të farërave në rrugë aty ku mbahet dhe tregtohet edhe ndonjë pesticide helmues, siç është fostoksina. Ka pasur farmaci të mbyllura, por ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me këtë situatë që të parandalojmë në këtë mënyrë edhe rastet e dhimbshme”, ka deklaruar shefi i higjienës Nuredin Kallashi. Por përveç këtyre ndëshkimeve në shumë pika tregtimi janë mbajtur mjaft procesverbale për gjendjen reale të preparateve dhe pesticideve bujqësore.

Në Fier, megjithëse nuk ka statistika të sakta, mësohet se vetëm brenda 10-mujorit të parë të vitit 2011 rezultojnë të vetëhelmuar me fostoksinë rreth 90 persona, një pjesë e të cilëve pas ndihmës së parë kanë mundur t’i rikthehen jetës, ndërkohë që 30 kanë humbur jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›