E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia shkel marrëveshjen për përfaqësimin rajonal

PRISHTINE - Qeveria e Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj për moszbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal nga ana e Serbisë.

"Kjo shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë ka ndodhur sot, në kuadër të konferencës rajonale 'Partneriteti për ndryshim: shoqëria civile dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi', e cila po mbahet në Beograd. Serbia, si organizatore e kësaj konference, ka dështuar të zbatojë pikën 2 dhe pikën 4 të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale"- theksohet në një deklaratë që qeveria e Kosovës ka shpërndarë për mediat.

"Për rrjedhojë, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në këtë konferencë është pamundësuar dhe përfaqësuesi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka braktisur konferencën në fjalë", thuhet në deklaratë.

Në bazë të marrëveshjes Kosovë- Serbi, në pikën 2 thuhet se “Kosova* është vetëm emërtim që do të përdoret në kuadër të bashkëpunimit rajonal”.
Në pikën 4 ndërkaq, thuhet se “Kosova* merr pjesë si e pavarur dhe flet në emër të sajin në të gjitha tubimet rajonale”.

Ditë më parë, mediat në Serbi njoftuan se Zyra për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, në kuadër të qeverisë serbe, e kishte ftuar Taulant Hoxhën, koordinatorin e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile të marrë pjesë në këtë konferencë.

(er.nu/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›