E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbja vdes në shtëpinë e diplomatit



Turistja 46-vjeçare, atak në banesën e zyrtarit të ambasadës

Një turiste serbe, 46-vjeçare ka gjetur vdekjen në banesën e një diplomati të Ambasadës malazeze në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa diplomati malazez ka njoftuar policinë pas vdekjes së papritur të mikeshës së tij serbe. Policia e kryeqytetit ka mbërritur në vendngjarje ku ka konstatuar se 46-vjeçarja Milojka Brajoviç kishte ndërruar jetë rreth orës 10:00 të mëngjesit. Ajo ka vdekur brenda banesës që kishte marrë me qira tre javë më parë tek miku i saj, diplomati malazez. Policët kanë dërguar trupin e pajetë në morgun e kryeqytetit ku i është nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore. Ekspertët kanë dalë në konkluzionin paraprak se vdekja i ishte shkaktuar nga një atak kardiak. Policët e mbërritur në vendngjarje kanë këqyrur ambientin dhe më pas në komisariat është paraqitur edhe vetë diplomati malazez,i cili ka shpjeguar se mikja e tij serbja Brajoviç, kishte mbërritur në Tiranë pasditen e së premtes. Ajo kishte komunikuar me të dhe i kishte bërë të ditur se nuk kishte arritur të gjente hotel për të fjetur, ndaj ai i kishte ofruar banesën e vet. Pas kësaj ajo kishte shkuar në orët e mbrëmjes në banesën e mikut të saj malazez, që ndodhet në katin e fundit të një pallati të ri në rrugën e Elbasanit. Sipas policisë ata kishin qëndruar së bashku gjithë natën, ndërsa në mëngjes pasi ishin zgjuar 46-vjeçarja kishte shkuar në banjë për të larë fytyrën, ndërsa diplomati ndodhej ende në shtrat. Dyshohet se gruaja ka pësuar atak në zemër ndërsa ndodhej në banjë. I ndodhur përballë kësaj situate diplomati ka njoftuar policinë. Ekspertët e hetimit që kanë mbërritur të parët në banesën e diplomatit kanë pohuar se nuk bëhej fjalë për një vrasje, por një vdekje që ka ardhur për shkaqe natyrale. Ende nuk dihet nëse ataku ishte stimuluar nga ushqimet e konsumuara apo gjendja emocionale e saj. Më pas me të njëjtin mendim kanë dalë edhe mjekët ligjorë pas kryerjes së ekspertizës së detajuar mjekësore. Po kështu policia pohoi dje se pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, pritet që nëpërmjet Ambasadës Serbe të kryhen procedurat për përcjelljen e kufomës së saj drejt Serbisë, çka pritet që të kryhen gjatë ditës së sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›