Haga shpalli të pafajshëm ish-presidentin Millutinoviç
Gjykata e Hagës shpalli dje të pafajshëm ish-presidentin e Serbisë, Millan Millutinoviç, i cili akuzohej për krime kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999. Millutinoviç së bashku me kryeministrin e asaj kohe Nikolla Shainoviç dhe gjeneralët Dragolub Ojdaniç, Vladimir Llazareviç, Nebojsha Pavkoviç dhe Sreten Llukiç, u akuzuan për zhvendosje, deportim, vrasje dhe përndjekje të shqiptarëve në Kosovë në gjysmën e parë të vitit 1999, por Gjykata e Hagës hodhi poshtë çdo akuzë për ish-presidentin dhe dënoi me 15 deri në 22 vjet burg pesë zyrtarët e tjerë. Të gjithë ish-zyrtarët i mohuan akuzat ndaj tyre. Millutinoviç ishte president i Serbisë në kohën kur Sllobodan Milosheviç ishte president i Federatës Jugosllave. Mandati i Millutinoviçit mbaroi në 2002-shin, në kohën kur u padit si i kërkuar për krime lufte nga Haga. Gjyqi ndaj Millutinoviç dhe pesë ish-zyrtarëve të tjerë serbë, i nisur më 2006-n, ishte gjyqi më i madh për krimet në Kosovë, që arriti të zhvillohej deri në fund. Gjykata dëgjoi 113 dëshmitarë të prokurorisë nga qershori i 2006-s deri në gusht të 2008-s. Pjesa më e madhe ishin dëshmitarë të luftës dhe viktima të krimeve kundër shqiptarëve në Kosovë.
Mes dëshmitarëve ishin edhe ata që dëshmuan kundër Miloshevicit, si diplomatë perëndimorë, negociatorë, gjeneralë të NATO-s etj.
Italia mbështet FSK-në me 2 milionë euro
Qeveria e Italisë ka ndarë 2 milionë euro për ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky informacion u publikua nga ambasadori italian në Kosovë, Majkëll Louis Gifoni, pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi dhe ministrin e Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota. Ambasadori Xhifoni tha se ndihma italiane për FSK-në do të mund të shfrytëzohet në muajin mars, nëpërmjet mekanizmave të NATO-s. Zëvendëskryeministri Kuçi e falënderoi qeverinë e Italisë për këtë ndihmë, duke theksuar se kjo nuk është vetëm mbështetje materiale, por është edhe një mbështetje politike për procesin e ndërtimit të FSK-së.
Serbia ngre akuza për 19 ish-zyrtarë boshnjakë
Gjykata e Beogradit ka lëshuar urdhër-arreste për 19 ish-zyrtarë boshnjakë. Ata akuzohen për sulmin ndaj një autokolone të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë gjatë vitit 1992 në Sarajevë. ”Gjykatësit hetues për krime lufte kanë ngritur akuzat ndaj 19 personave për krime lufte dhe përdorim të armëve të ndaluara ndaj një autokolone të ushtrisë që po tërhiqej në rrethinat e Sarajevës”, - tha zëdhënësja e Gjykatës së Beogradit, Ivana Ramiç. Kjo e fundit theksoi se ish-anëtari i Presidencës boshnjake gjatë luftës, Ejup Ganiç, ishte në mesin e të akuzuarve. Sulmi në fjalë ka ndodhur pas shpalljes së pavarësisë së Bosnjës, që u pasua me sulmin mbi Sarajevë nga forcat serbe të Bosnjës. Rrethimi i Sarajevës nga forcat serbe zgjati 43 muaj dhe mori jetën e 14 mijë njerëzve.
27 Shkurt 2009