Aksident në aksin Shkodër-Pukë, një humb jetën dhe një plagoset
Shkodër – Një i vdekur dhe një i plagosur ka qenë bilanci i një aksidenti të rëndë automobilistik, i cili ka ndodhur gjatë orëve të natës së të mërkurës në aksin rrugor Shkodër-Pukë. Sipas të dhënave paraprake nga vendi i ngjarjes, aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Qelit dhe arsyeja kryesore mendohet të jetë prania e shtresave të mëdha të akullit në rrugë, të cilat e kanë detyruar automjetin në të cilin ndodheshin dy personat, të dalë nga rruga. Mjeti, i cili mësohet të ketë qenë një autostradë e kuqe me targa të huaja, është rrëzuar më pas në një humnerë me lartësi 300 metra, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të saj dhe plagosjen e rëndë të personit tjetër. Ky i fundit është dërguar në Spital, por rezulton në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, por ende nuk ka mundur të identifikoje si viktimën, ashtu dhe të plagosurin.
27 Shkurt 2009