Raporti i DASH-it për Kosovën: “Problem trajtimi i minoriteteve”
Pakicat mbesin një problem i pazgjidhur në Kosovë për vitin 2009. Departamenti Amerikan i Shtetit bëri publik raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2009 dhe për Kosovën çështjet më të rëndësishme u konsideruan: trajtimi i pakicave, sulmet dhe kërcënimet ndaj figurave politike, korrupsioni apo mungesa e transparencës. Kosovës me këtë rast i tërhiqet vëmendja për disa raste dhune ndaj pakicave, që vënë në dukje tensione mes komuniteteve të ndryshme etnike. “Megjithëse sporadike, këto incidente vazhduan të kufizojnë lirinë e lëvizjes së pakicave, por edhe të shqiptarëve që banojnë në pjesën veriore të Kosovës”, - theksohet në raport. Ndër aktet e dhunës kundër zyrtarëve, raporti vë në dukje se më 8 janar të vitit të kaluar, prokurorët shpallën fajtorë 4 banorë serbë që kishin sulmuar pjesëtarë të ekipit të shefit të UNMIK-ut Joakim Ryker dhe komandantit të KFOR-it. “Ligji në Kosovë parashikon masa ndëshkimore për korrupsion në radhët e zyrtarëve, por si rezultat i moszbatimit efektiv të ligjit, ka akuza për korrupsion të zyrtarëve”,- thekson raporti. Qeveria e Kosovës dhe administrata e Kombeve të Bashkuara në përgjithësi kanë respektuar të drejtat e njeriut, megjithëse ka ende probleme në disa fusha, veçanërisht në raport me komunitetet pakicë. Raporti gjithashtu vë në pah edhe mungesën e përparimit në kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre, korrupsionin e qeverisë, dhunën dhe diskriminimin ndaj grave, trafikimin e personave, veçanërisht të vajzave të reja dhe grave për shfrytëzim seksual, dhunën shoqërore dhe diskriminimin shoqëror kundër personave me aftësi të kufizuara.
27 Shkurt 2009