Sergei Bubka, në ndihmë të atletikës shqiptare
Sergei Bubka, një prej atletëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, mbërriti në Tiranë për të promovuar organizimin në Shqipëri, në vitin 2011, të kampionatit botëror “Të vrapimit në mal”. Ukrainasi, një legjendë në disiplinën e kërcimit me shkop, erdhi në vendin tonë me statusin e zv.presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës. Bubka u takua edhe me Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha, të cilëve u ka konfirmuar se ky eveniment me përmasa botërore do të shërbejë për promovimin e bukurive natyrore dhe të turizmit në Shqipëri. Ai ka theksuar se do të japë kontributin e tij edhe për zhvillimin e atletikës në vendin tonë. “Erdha për të ndihmuar atletikën shqiptare. Atletika në Shqipëri nuk është në nivele të larta, por ne do të kontribuojmë për ta përmirësuar atë. Pjesë e ndryshimit jeni edhe juve, që duhet të punoni më shumë. Kjo është këshilla ime për zhvillimin e atletikës”, deklaroi 46-vjeçari. Bubka ka fituar gjashtë herë radhazi Kampionatin Botëror të IAAF-së (Federatës Ndërkombëtare të Atletikës), një ar Olimpik dhe ka thyer 35 herë rekordin e kërcimit me shkop për meshkuj (17 në pistë dhe 18 herë në salla të mbyllura). Ai ishte i pari atlet mashkull që kaloi me sukses lartësinë 6 metra, ndërsa rekordet janë 6.14 metra në pistë dhe 6.15 metra në sallë të mbyllur.
#