E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seri e shpërthimeve në Irak

Së paku gjashtë persona kanë humbur sot jetën, si pasojë e një serie të shpërthimeve në perëndim të Irakut, përfshirë këtu edhe një zyrtar të koalicionit zgjedhor të ish-kryeministrit të Irakut, Ijad Allavi, ka njoftuar policia irakiane.

Katër bomba kanë shpërthyer në afërsi të shtëpisë së Ghanim Radhit, anëtar i Lëvizjes për Zhvillim dhe Reforma, në qytetin Qaim në provincën e Anbarit, rreth 300 km në perëndim të Bagdadit. Me këtë rast u vranë Radhi dhe një vëlla i tij.

Policia njoftoi se katër persona tjerë kanë humbur jetën si pasojë e këtyre sulmeve, por nuk dha detaje për identitetin e tyre. Së paku 15 persona tjerë janë lënduar.

Radhi nuk kishte kandiduar në zgjedhjet parlamentare të 7 marsit, por lëvizja e tij ishte anëtare e listës së koalicionit Iraqija, të kryesuar nga Allavi, e cila ka fituar më së shumti ulëse në parlament.

Dy ditë para shpërthimeve të sotme, zyrat e koalicionit Iraqiya u dëmtuan nga një zjarr në qytetin e Qerbelasë, qendër religjioze e shumicës shiite në Irak.

Fillimisht nuk kishte njohuri për shkakun e zjarrit, ndërsa zyrtarët e koalicionit Iraqiya njoftuan se kanë filluar hetimet, për të kuptuar se a bëhet fjalë për sabotazh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›