E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A, Juventusi tremb Milanin, Interi barazon

Java e 33 e Serisë A italiane ka forcuar pozitat e Juventusit në vendin e parë duke përfituar nga ndalesa e Milanit. Zonja e Vjetër shkatërroi Romën 4-0 ndërsa Milani barazoi 1-1 me Bolonjan.

Djemtë e Kontes e dominuan të gjithë takimin që Roma e luajti pothuajse me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të portierit Stekelenburg. Ishte Arturo Vidal lojtari që në 4 minuta çoi peshë zemrat e tifozëve juventinë.

Kiliani shënoi 2 gola duke e bërë më të lehtë ndeshjen që parashikohej e vështirë për bardhezinjtë. Pirlo nga penalltia dhe Markizio vulosën takimin dhe thelluan diferencën në +3 me Milanin.

Skuadra e Alegrit rrezikoi ta humbiste ndeshjen por Zlatan Ibrahimoviç iu dha një pikë kuqezinjve. Milani e dominoi të gjithë ndeshjen por miqtë nga Bolonja shënuan të parët dhe më pas u mbrojtën mirë. Dy minuta nga fundi gjigandi suedez tronditi portën e Bolonjës por vetëm kaq.

Interi nuk arrin të fitojë në transfertën e vështirë kundër Fiorentinës. Në takimin e luajtur në mesditë violat dhe zikaltrit ndajnë nga një pikë duke barazuar 0-0. Rastin më të mirë për të shënuar e kishte Ljajiç nga penalltia por portieri i Interit bëri mrekullinë.

Djemtë e Stramaçonit shpresojnë ende tek Liga e Kampionëve pasi kundërshtarët e tyre Lacio, Udineze dhe Roma nuk arritën të fitonin.

Gentjan Alinani/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›