E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A, dyshime për fiksim rezultati

Miliona sterlina për shenjën “x” në Angli. Bastet u pezulluan vetëm të premten, ndërsa në Itali ishin ndërprerë prej së martës Në qendër të skandalit, Kievo-Katania, ndeshja që përfundoi në barazim 1-1

Pas skandalit të basteve që përfshiu Europën vetëm pak muaj më parë, tashmë është radha e Serisë A italiane që të përfundojë në “shënjestër”. Në qendër të dyshimeve është takimi i së dielës, ndërmjet Kievos dhe Katanias. “Bookmaker”-at anglezë kishin pezulluar bastet, prej frikës se rezultati i ndeshjes mund të ishte i fiksuar, në mënyrë që 90-minutëshi të mbyllej në barazim. Në fakt ashtu përfundoi, me dy skuadrat që morën vetëm nga një pikë. Pas kësaj, të gjithë ngritën pyetjen: Thjesht një koincidencë, apo rezultati ishte manipuluar? Kjo është pyetja që “The Sun”, tabloidi më i shitur në Angli, ka ngritur rreth Kievo-Katania, që u mbyll në shifrat 1-1. Ngjarja është bërë publike nga mediat britanike, edhe pse në Itali ishin të vetëdijshëm se në këtë ndeshje kishte diçka që nuk shkonte. Në fakt, kompanitë përtej Adriatikut i kishin pezulluar bastet prej së martës që kaloi. Gjithsesi, askush nuk e kishte shpjeguar këtë vendim si një manipulim. Në Britaninë e Madhe, të enjten ishin plot shtatë kompanitë që ndërprenë bastet për sfidën e dyshimtë. “The Sun” shkruan për një shifër prej 2 milionë sterlinash (rreth 2.2 milionë euro) që ishte hedhur në baste vetëm nëpërmjet “Betfair”, kompanisë më të madhe angleze, për barazimin ndërmjet Kievos dhe Katanias. Ndërkohë, nuk mungonin bastet për numrin e golave, apo për rezultatin e saktë final (1-1): shifra që qarkulloi në këto raste ishte 217 mijë euro. Veronezët kaluan të parët në avantazh në minutën e 13-të, ndërsa Katania barazoi, me penallti, në të 73-ën.

Zërat se ndeshja ishte e paracaktuar filluan të përhapeshin që prej ditëve të para të javës që sapo kaloi. Një zëdhënës i “Betfair” konfirmoi se barazimi ishte “parashikuar mbi normalen” nga bastexhinjtë. Megjithatë, bastet e vendosura përpara se “bookmaker”-at ta pezullonin këtë ndeshje, do të paguhen të gjitha. Kjo pavarësisht faktit se shifrat që qarkulluan për këtë ndeshje ishin të pazakonta: sepse bëhej fjalë për përballjen e dy ekipeve modeste, jo shumë të njohura në Angli. Devid Uilliams i “Ladbrokes”, një tjetër kompani e rëndësishme, deklaroi: “Mbi barazimin u hodhën shumë baste dhe për këtë arsye menduam se ishte më e rrugës që të ndërprisnim operacionet”. Një tjetër zëdhënës i “Victor Chandler” shtoi: “Duke parë rezultatin përfundimtar, kemi bërë mirë që i pezulluam bastet për Kievo-Katania”. “The Sun” e ka cilësuar këtë që ndodhi si “Italian Job”.
Ndërkohë, hetuesit e Federatës Italiane (FIGC) kanë filluar të mbledhin materiale rreth ndeshjes së luajtur në “Bentegodi”. Momentalisht, ende nuk mund të thuhet se hetimi është hapur zyrtarisht.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›