Dinamo blen Timpanaron, ish-sulmuesin e Velezit
Autori i Lajmit: Redaksia
Blutë kanë arritur të nënshkruajnë me sulmuesin argjentinas Maksimiliano Timpanaro, një 21-vjeçar që ka luajtur edhe në kategorinë e parë të këtij vendi me skuadrën kampione në fuqi Velezin. Ai është 1 metër e 71 centimetra dhe është argjentinasi i pestë që bëhet pjesë e bluve. Timpanaro nuk ka pasur shumë hapësira në klubet e mëparshme dhe është kjo arsyeja kryesore përse ka zgjedhur Shqipërinë. Ardhja e tij do të thotë se sulmuesi Sebino Plaku, do të largohet nga blutë. Ndërkaq, te skuadra kryeqytetase kanë ardhur për tu provuar edhe mbrojtësi serb Vladimir Ivanoviç së bashku me mesfushorin shqiptar Semirjano Çela. Trajneri Shkëlqim Muça do të ketë mundësi ti shohë ata në grumbullimin dyjavor në Turqi. Dinamo do të udhëtojë të mërkurën drejt Antalias, ku do të zhvillojë fazën përgatitore të dimrit. Pas 17 javësh kampionat, blutë mbeten skuadra më e fortë, duke arritur 13 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010