Sërish Vettel

Sebastian Vettel përfitoi nga një dozë e madhe e fatit të dielën duke fituar garën për Shpërblimin e Madh të Monacos para Fernando Alonsos dhe Jenson Buttonin. Gara ishte jashtëzakonisht interesante dhe e përshkuar nga incidentet e shumta ku ngasës të ndryshëm nuk arritën në cak.
Kampioni aktual i botës në Formula 1, Vettel ka fituar pesë nga gjashtë garat e deritashme këtë sezon. Vetëm ngasësi i McLarenit, Hamilton e kishte mposhtur në Kinë. Ngasësi tjetër i Red Bullit, Mark Webber përfundoi i katërti para Kamui Kobayashit nga Sauber.
Hamilton doli i gjashti ndërsa Adrian Sutil i shtati e Nick Heidfeld i teti. Gjermani rrezikoi duke qëndruar në goma të njëjta të buta për 15 xhirot e fundit kur Alonso dhe Button ishin shumë pranë tij.
Rrezikimi dukej se do të rezultonte negativisht deri kur një aksident në xhiron 72 të sjell flamurin e kuq për ndërprerjen e garës pak para se ai të zihet nga ndjekësit. Kur gara vazhdoi, Vettel ndërroi gomat gjatë suspendimit dhe kompletoi xhirot e fundit drejt fitores së re.
“Të vetmin shans për ta fituar këtë garë e kisha nëse do të mbetesha aty. Isha gati 20 xhiro nën presion nga Fernando dhe Jenson, që ishin gjithnjë e më afër”, tha Vettel.
Pozita e dytë nga Alonso ishte rezultati i tij më i mirë këtë sezon, ndërsa Button do të ndjejë keqardhje që ishte aq pranë fitores së sërishme në Monaco. Shtatë herë kampioni i botës Michael Schumacher, Felipe Massa në Ferrari, dhe Vitaly Petrov – Renaulti i së cilit ishte përfshirë në një aksident që ndërpreu garën – ishin në mesin e atyre që nuk përfunduan garën.
Vetura e sigurisë doli dy herë para flamurit të kuq në një garë kaotike por me intensitet të lartë. Vettel, nga pol-pozicioni i tij i pestë këtë sezon bëri fillim të fuqishëm. Pas vetëm një xhiroje, Vettel ishte në epërsi 2.4 sekonda dhe ndërsa ishte gati katër pas xhiros së tretë.
Por, parashikimi për një fitore tjetër bindëse për Vettelin u dëshmua i gabuar pasi pista në rrugët e Monacos solli duele interesante dhe shumë ndryshime. Vettel dukej se do të zihej nga Alonso ose Button pasi humbiste kohë në çdo xhiro për shkak të qëndrimit në goma të buta.
Mirëpo, aksidenti mes Petrovit dhe Jaime Alguersuarit nga Toto Rosso e kthyen garën në favor të Vettelit. Doli flamuri i kuq, Petrov u nxor nga bolidi, ndërsa ngasësit shfrytëzuan mundësinë për riparime. Kjo i solli Vettelit dhuratë të madhe për t’i ndërruar gomat pa pasur nevojë për pit-stop.
Rezultatet e garës:
1 Sebastian Vettel-2:09:38.373
2 Fernando Alonso-+00:01.138 sek.
3 Jenson Button-+00:02.378
4 Mark Webber-+00:23.101
5 Kamui Kobayashi-+00:26.916
6 Lewis Hamilton-+00:27.210
7 Adrian Sutil-1:18.872
8 Nick Heidfeld-1:17.857
Renditja e përgjithshme:
1 Sebastian Vettel-143 pikë
2 Lewis Hamilton-85
3 Mark Webber-79
4 Jenson Button-76
5 Fernando Alonso-69
6 Nick Heidfeld-29
7 Nico Rosberg-26
8 Felipe Massa-24