E Diel, 1 Nëntor 2026

Sërish dështim për reformën zgjedhore, Berisha apel PS-së

Tragjedia e ndodhur në Himarë, por edhe vizitat e kryeministrit Sali Berisha në Shtetet e Bashkuara, solli vonesa në këtë drejtim. Kreu i mazhorancës i bëri apel opozitës që të bashkëpunojë për të përmbyllur të gjitha pikat e reformës zgjedhore, teksa ka këmbëngulur se opozita duhet të heqë dorë nga disa kërkesa.

“Në fillim ata kërkuan që të kishin iniciativën dhe mendonin se mazhoranca me propozimet e veta do të përpiqej të tërhiqte nga vetja e saj. Ne faktuam se kjo nuk ishte e vërtetë dhe nuk kemi bërë qoftë edhe një propozim të vetëm. Ka një moment ku nuk mund të ketë diskutime as nga qeveria dhe as nga opozita, rekomandimi i ODIHR-it. Ky rekomandim lidhur me procedurat elektronike, nuk vjen se përfaqësuesit e kësaj organizate nuk janë me moshën dixhitale. Mendoj se rekomandimi i tyre është interesi i parë i madh i opozitës. ODIHR-i kërkon një proces pilot dhe ky është edhe interesi i opozitës. Numërimi elektronik është një realitet i pamohueshëm, por edhe i probleme të pamohueshme”, theksoi kreu i qeverisë.

Kërkesa tjetër e opozitës, sipas Berishës, është çështja e ankimimit në KQZ, ku opozita kërkon që kutitë të hapen me kërkesën e dy prej anëtarëve të Komisionit. “Kërkesa tjetër është që dy persona të kenë në dorë procesin, është kërcënim i madh për zgjedhjet. Kërkojnë një vendim që merret me dy vota për të hapur të gjithë dokumentacionin, çka do të thotë të shkosh në një proces të pafundmë. Çdo material do të hapet, por këtë do ta bëjë gjykata. Nëse një vendim i tillë u jepet dy përfaqësuesve partiakë, zgjedhjet nuk janë më të qytetarëve, dhe mund t’i hapin kutitë nga e para deri tek e fundit. Puna e madhe që është bërë, fleksibiliteti real, duhet të jetë një nxitje për opozitën. Është punuar në mirëkuptim të plotë në reformën e rregullores së Parlamentit. Është zbatuar absolutisht Rregullorja e Parlamentit Evropian. Tani kërkon që kryetari i opozitës të ketë kohë të barabartë me kryeministrin e vendit dhe kjo nuk ekziston në asnjë vend të Evropës. Pse Kushtetuta ia ka dhënë kryeministrit dhe është Kushtetutë e hartuar nga Partia Socialiste dhe kryeministri”, tha Berisha më tej.

Ai apeloi që Partia Socialiste të bashkëpunojë për të përmbyllur reformat. “Nuk besoj se bllokimi është ajo që kanë nevojë qytetarët. Nuk duhen bërë kërkesa që nuk ekzistojnë në asnjë kushtetutë tjetër dhe të plotësojmë reformat e kërkuara si dëshmi e vullnetit tonë para shqiptarëve dhe partnerëve për të konkretizuar detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit të Bashkimit Evropian”, përfundoi fjalën e tij. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-23 12:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›