E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabregas mbetet në Arsenal

Mesfushori spanjoll, Cesc Fabregas ka konfirmuar se do të mbetet në Arsenal për sezonin e ri në Premierligë. 23-vjeçari i talentuar, gjatë gjithë verës spekulohej për kalim te Barcelona, ndërsa ka pranuar se dy oferta ishin paraqitur për shërbimet e tij.

Topxhinjtë refuzuan përpjekjet e gjigantit katalan për transferimin e Fabregasit dhe asnjëherë nuk e ndryshuan qëndrimin e tyre duke insistuar se kapiteni i ekipit nuk është në shitje. Fabregas ka pranuar se ishte i joshur nga rikthimi në Nou Camp, por tani, ai është i përqendruar në ekipin londinez.

Nga mosha 16-vjeçare ai është pjesë e Arsenalit dhe vlerëson lart çdo gjë që është bërë për të me kalimin e viteve.

“Së pari dua t’u kërkoj falje të gjithë tifozëve të Arsenalit që nuk kam folur më herët rreth të ardhmes sime, por nuk e dija se çka do të bëja deri në këtë moment. Nuk mund të mohoj se kalimi te një klub si Barcelona nuk ka qenë lëvizje atraktive për mua”, tha Fabregas të premten.

“Ky ishte klubi ku kam mësuar të luaj futboll, është qyteti im ku janë shokët dhe familja ime dhe ku gjithmonë kam ëndërruar të luaj. Ka shumë futbollistë në botë të cilët do të dëshironin të luanin për Barcelonën. Pas bisedimeve me menaxherin Arsene Wenger, kam mësuar se Barcelona kishte paraqitur dy oferta të cilat u refuzuan nga Arsenali. Kam borxh të madh ndaj klubit, menaxherit dhe tifozëve andaj do të respektoj vendimin e tyre dhe tani do të përqendrohem në sezonin e ri me Arsenalin”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›