Sërish shtyhet projektligji për RTK-në

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës pika e tetë që kishte të bënte me transmetuesin publik, pasi që, siç ka thënë ai, neni 16 i këtij projektligji nuk ka kaluar nëpër komision dhe nuk ishte i përgatitur ai projektligj.
“Të kaloj nëpër komision dhe në momentin kur të vie në seancë mos të ketë problem. Problemi kryesor është se zgjedhja e drejtorit të RTK-së bëhet me një procedurë, ndërsa zgjedhja për kanalin që do të hapet në gjuhën serbe duhet të bëhet me një procedurë tjetër”, ka thënë Gashi, siç transmeton Kosovapress.
Ai ka kërkuar që kjo të shtyhet deri në seancën e ardhshme.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka kërkuar një pauzë që të sqarohet për këtë nen dhe mos të shtyhet më tutje ky projektligj.
“Unë besoj që mocionin që e prezantoi Gashi është i ligjshëm. Mund të bëhet që të kërkohet një pauzë dhe të harmonizohet për këtë nen dhe të mos shtyhet edhe më shumë pasi që dy vite po pritet për këtë projektligj”, ka thënë Kuçi.
Por deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama ka thënë se nuk duhet të pengohet ky projektligj, duke shtuar se këtë po e pengojnë disa parti dhe jo pakicat.
“Është shumë e çuditshme që ky ligj po pengohet të miratohet. Është dashur që të mendojnë më mirë ata që kanë votuar për këtë nen. Puna në RTK po pengohet dhe nuk mund të bëjmë ligje për një palë dhe për një palë tjetër. Ne jemi për të shtyrë edhe për një javë dhe nuk dëshirojmë që të kaloj neni pa kaluar në komision. Ata që po bëjnë instruksione për RTK-në nuk janë pakicat, por dikush tjetër”, ka thënë ajo.
Shef i Grupit Parlamentar i AAK-së, Ardian Gjini ka mbështetur mocionin e LDK-së dhe duke kërkuar harmonizimin e qëndrimeve për këtë projektligj.
Më pas edhe zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, në emër të Qeverisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, ka mbështetur shtyrjen e këtij projektligji për javën e ardhshme.
Me shumicë votash është miratuar mocioni i LDK-së.
Gjatë seancës së sotme në lexim të parë është miratuar projektligji për komunikimet elektronike.
Ndërsa në lexim të dytë është miratuar projektligji për deminimin humanitar, projektligji për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe projektligji për shërbimet e shoqërisë informatike.