E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja ndaj Napolit, në histori të klubit

Menaxheri i Chelseas, Roberto di Matteo, beson se fitorja e tyre kundër Napolit në Ligën e Kampionëve do të hyjë në histori të klubit.

Gjiganti londinez përmbysi rezultatin e humbjes 3-1 nga ndeshja e parë duke fituar 4-1 në Stamford Bridge dhe siguruar kualifikimin në çerekfinale. Didier Drogba, John Terry dhe Frank Lampard, të gjithë të injoruar nga ish menaxheri Andre Villas-Boas, realizuan gola, kurse mbrojtësi Branislav Ivanovic e vendosi takimin duke shënuar në lojën shtesë.

“Për klubin kjo fitore ka rëndësi të madhe”, tha menaxheri i përkohshëm Di Matteo i cili pas përfundimit të takimit vrapoi në fushë për të përqafuar futbollistët e tij. “Të jemi në gjendje të vazhdojmë të luajmë në Ligën e Kampionëve ka rëndësi të madhe. Kam kaluar disa net të mira, por më duhet të them se kjo do të hyjë në histori të klubit”, tha Di Matteo.

“Të kthehemi nga disavantazhi prej dy golave ishte detyrë e vështirë. Futbollistët treguan pasion, ne morëm një përkrahje të madhe”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›