E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish sulmohet Ambasada e Kosovës në Paris

Nga Express më 22 shkurt 2011 në ora 10:36

Huliganë serbë kanë sulmuar sërish Ambasadën e Kosovës në Paris. Sulmi ka ndodhur më 17 shkurt, por zyrtarisht është konfirmuar pas katër ditësh. Zyrtari për informim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Fisnik Musa, ka thënë se ekstremistë serbë kanë tentuar të sulmojë objektin e Ambasadës së Kosovës.

“Falë kujdesit të treguar nga stafi i ambasadës dhe bashkëpunimit paraprak me autoritetet franceze, policia ka arritur t’i identifikojë dhe arrestojë gjashtë serbë lidhur me këtë ngjarje”, ka thënë Musa.

Por, një burim i portalit Ekonomisti ka saktësuar se huliganët kanë dëmtuar pllakën dhe kanë ngjyrosur muret e objektit. Në pllakë dhe mure janë shkruar simbole dhe parulla serbe. Gjatë kohës kur kishte ndodhur sulmi, stafi i ambasadës nuk ka qenë brenda objektit. “Kemi qenë në një manifestim kulturor të organizuar për festën e trevjetorit të shpalljes së pavarësisë. Sulmi ka ndodhur në orët e mbrëmjes dhe menjëherë pas ngjarjes jemi njoftuar nga policia franceze.

Ata na kanë njoftuar së kanë arritur t’i arrestojnë gjashtë persona, që të gjithë të nacionalitetit serb”, ka bërë të ditur burimi. Stafi diplomatik i Kosovës në Paris e ka njoftuar menjëherë Ministrinë e Punëve të Jashtme lidhur me sulmin, si dhe e ka dënuar aktin, duke e quajtur të ulët dhe vandalist.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›