Serbët bllokojnë magjistralen
Dhjetëra serbë janë duke protestuar në fshatin Rudare në veri dhe kanë bllokuar rrugën magjistrale Mitrovicë - Leposaviq. Ata kërkojnë të mos lejohen patrullat e përbashkëta të njësisë së komunikacionit të policisë së Kosovës në veri.
Si pasojë e protestës dhe bllokimit të rrugës është krijuar radhë e gjatë e automjeteve nga të dy drejtimet, ndërkohë që policia është duke bashkëbiseduar me protestuesit për t’i bindur ata që të largohen nga rruga dhe të lejojnë lëvizjen e mjeteve.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, toger Besim Hoti, i cili tha se janë rreth 40 protestues serbë që kanë bllokuar rrugën në fshatin Rudare, raporton KosovaPress.
Hoti bëri të ditur se ata po e kundërshtojnë prezencën e pjesëtarëve të njësisë së trafikut të Policisë së Kosovës të stacionit jug, në zonat e veriut të vendit.