Hani i Elezit refuzon faturat e tatimit
Komuna e Hanit të Elezit për vitin 2011 do të mbetet pa inkasimin e të hyrave nga tatimi në pronë, për shkak se në faturat e tatimit në pronë të lëshuara nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave (MEF) figuron emërtimi ne gjuhën serbe "Gjeneral Jankoviq".
Zyrtarët komunalë theksojnë se e kishin paralajmëruar MEF-in se do të refuzonin të paguanin faturat nëse përdoret ky emërtim.
"Qytetarët e Hanit të Elezit, përmes institucioneve të saj, në vazhdimësi kanë reaguar tek të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe kanë bërë kërkesë që te hiqet nga përdorimi ky emërtim, por institucionet qendrore si ato vendore edhe ato ndërkombëtare edhe më tutje e përdorin këtë emërtim", thuhet në një komunikatë shtypi të Komunës së Hanit të Elezit.
Komuna e Hanit të Elezit thotë se i ka bërë të gjitha veprimet e mundshme ligjore që ky emërtim sa më parë zyrtarisht të largohet nga përdorimi. "Kërkesa i është bërë edhe Gjykatës Kushtetuese, institucioneve ndërkombëtare, është bërë kërkesë të gjitha ministrive që mos të përdorin këtë emërtim, megjithatë, kjo kërkesë ende mbetet pa përgjigjen e kërkuar".
Komuna e Hanit te Elezit thotë se i njofton të gjitha institucionet nuk do të pranojë nga kushdo qoftë asnjë dokument ku figuron emërtimi i Gjeneral Jankoviqit.