E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 5 traktorë me dru, njëri nga pronarët ikën

Nga Express më 22 shkurt 2011 në ora 12:02

Policia në Skenderaj ka sekuestruar pesë traktorë të mbushur me dru për djegie, pasi nuk posedonin leje nga Agjencia e Pylltarisë së Kosovës.

Me këtë rast, një person është arrestuar për mospërfillje të urdhrave të zyrtarëve policorë.

Aksioni i kontrollit është realizuar gjatë ditës së djeshme rreth orës 11:30min, në fshatin Polac të Skenderajt.

Në tregun e druve, njësiti policor ka gjetur pesë traktorë. Asnjëri nga pronarët nuk posedonte dokumentacionet e nevojshme për transport dhe shitje të druve.

Pesë të dyshuarit janë urdhëruar nga zyrtarët policorë që të shoqërohen së bashku me ngarkesën deri në stacionin policor në Skenderaj, për inicim të kundërvajtjeve të regjistruara.

“Gjatë përcjelljes së pesë traktorëve, njëri nga ta, ka shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policorë ndërsa ka devijuar rrugën, duke tentuar që t’i shmangej kundërvajtjes të regjistruar nga policia”, ka njoftuar Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.

I dyshuari, banor i fshatit Kuqicë të Skenderajt, kishte bërë një devijim të rrugës duke u kthyer me traktorin e tij në një rrugë dytësore. Patrulla policore e cila po udhëhiqte operacionin, ka vërejtur tentativën e të dyshuarit ndërsa është kthyer prapa në ndjekje.

I dyshuari, në pamundësi për t’iu shmangur policisë së bashku me traktor, ka braktisur traktorin së bashku me kornizë të ngarkuar me dru, ndërsa ishte arratisur në këmbë.

Policia ka ndërmarrë veprimet e ligjshme në këtë rast duke sekuestruar traktorin së bashku me ngarkesë, të cilin e ka dërguar në parkingun e stacionit policor. Pak qaste më vonë, pronari i traktorit, në këtë rast i dyshuari i arratisur, është vetë paraqitur në stacionin policor për të dhënë arsyetimet e arratisjes së tij.

Policia ka iniciuar paraqitje kundërvajtëse ndaj të dyshuarit, ndërsa prokurori publik i prokurorisë komunale ka urdhëruar caktimin e ndalimit policor deri në 24 orë, për të proceduar rastin në gjykatën kompetente në procedurë të shpejtë.

Rasti është iniciuar si vepër kundërvajtëse “Mospërfillje e urdhrave të ligjshëm” nga neni 16 paragrafi 1, i ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike të Kosovës.

Aksioni policor i ditës së djeshme, shënon aksionin e dytë të kësaj natyre gjatë javës në Skenderaj ndërsa shtatë raste ishin regjistruar në aksionin paraprak.

Policia e Kosovës thotë se po bashkëpunon me Agjencinë e Pylltarisë së Kosovës në parandalimin e vjedhjes dhe shkretimit të pyjeve të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›