Kuvendi në mbledhje të jashtëzakonshme
(E plotësuar) Kryesia e Kuvendit të Kosovës miratoi kërkesën e partive nënshkruese të koalicionit qeveritar që të thirret mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku do të votohet për presidentin dhe qeverinë e re.
Mbledhja do të nisë në ora 15.
Kërkesa është nënshkruar nga rreth 50 deputetë, ka saktësuar kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
"Kërkesa kishte të precizuar edhe afatin se kur duhet mbahet seanca. Kryesia me konsensus u dakorduam që të jetë ajo kohë, do të thotë sot më 22 shkurt në orën 15, do të thotë do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, për zgjedhjen e presidentit dhe kabinetit qeveritar”, ka thënë ai, për gazetarët.
Ndërkohë, Krasniqi, nuk ka folur nëse ai do të votojë për Behgjet Pacollin si president.
Ai tha se të gjithë e dinë qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.
I pyetur nëse Pacolli plotëson kriteret për të qenë president, pasi ai është shtetas i Zvicrës, Krasniqi tha se një gjë të tillë do të verifikojë komisioni për mandate dhe imunitete i Kuvendit të Kosovës dhe ai do të dalë me një qëndrim.
Vazhdojnë sot
Parlamenti do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme që është kërkuar nga PDK’ja dhe partnerët e saj të koalicionit. Nëse nuk ka debat të gjatë parlamentar, të martën do të votohet për Presidentin dhe Qeverinë
Ashtu siç u zgjodhën, në zgjedhje të jashtëzakonshme, deputetët e Kuvendit të ri kanë mundësi që sot në një seancë të jashtëzakonshme të zgjedhin Presidentin dhe Qeverinë e re të vendit.
Seanca e jashtëzakonshme është kërkuar nga Grupi parlamentar i PDK’së, me një mocion që përveç arsyetimit përmban edhe mbi 50 nënshkrime të deputetëve.
Pasi doli të ishte e pamundur që në ditën e konstituimit të Parlamentit të bëhet edhe zgjedhja e Presidentit dhe Qeverisë, deputetët e koalicionit vendosën të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për ta përmbyllur konstituimin e institucioneve.
PDK’ja dhe AKR’ja kërkuan që menjëherë pas përfundimit të seancës konstituive të mbahet një seancë e re, ku do të votohej për Presidentin e Qeverinë, por Kryesia vendosi kundër kësaj kërkese.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë deklaroi se sipas rregullores, seancë e rregullt plenare mund të organizohet vetëm pas tri ditëve.
“Kërkesa e deponuar në Kryesi ishte që të ftohet edhe një seancë sot, por kjo nuk mund të bëhet sipas rregullores së punës së Kuvendit. Mund të ftohet ndonjë mbledhje e jashtëzakonshme, por kërkesë të tillë ne nuk kemi dhe kështu sot kemi përfunduar”, ka thënë Krasniqi.
Ky vendim i Kryesisë, detyroi Grupin parlamentar të PDK’së që të mbledhin nënshkrimet për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme. Përpjekjet ishin që kjo seancë të mbahet të hënën, por meqë një pjesë e konsiderueshme e deputetëve ishin larguar, deputetët e koalicionit kërkuan që mbledhja të mbahet të martën, në orën 15:00.
Nëse nuk do të ketë debat të gjatë parlamentar, atëherë ka gjasa që të martën edhe kandidati për president, Behgjet Pacolli dhe Qeveria e Hashim Thaçit të dalin para votës së deputetëve.
Përndryshe, debati i gjatë mund të vonojë procesin e votimit deri të mërkurën.
Për t’u zgjedhur në raundin e parë, Pacollit i duhen së paku 81 vota, që nuk ka gjasa të ndodhë për shkak se kundërshtohet nga opozita. Mirëpo, ai mund të bëhet president në raundin e tretë, nëse përkrahet nga së paku 61 deputetë. Një votë më pak do ta çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh.
Ndërkaq, Qeveria mund të zgjidhet në raundin e parë, me shumicë të thjeshtë votash. Nëse kjo dështon, atëherë mandati për formimin e Qeverisë i kalon grupit të dytë më të madh parlamentar, LDK’së.